Përgjegjësit e vërtetë për tragjeditë tona kulturore
Shkruan: Besfort Idrizi
Brenda disa muajve, në Shkup ndodhën dy tragjedi kulturore, së pari uzurpimi kundërligjor i godinës së IN Teatri për Fëmijë dhe të Rinj – Shkup dhe tani së fundmi, paralajmërimi për mbylljen e librarisë “Nobel”. Në të dy rastet masa kritike e shoqërisë sonë mblodhi guximin dhe individë të ndryshëm filluan të kritikojnë e të ngritin zërin për ruajtjen e vlerave tona kulturore. Në të dy rastet “elita” jonë intelektuale e prekur rëndë nga këto dukuri, foli mjaft për vlerën dhe simbolikën, së pari të teatrit, e më vonë edhe të librarisë, dhe gjithnjë duke e drejtuar gishtin nga populli, me akuzën që ai është fajtori kryesor që na i sjell këto tragjedi, kryesisht për shkak të nivelit të ulët të vetëdijes dhe kulturës.
Tani, duke i parë reagimet e tilla, së pari të krijohet përshtypja që ne si popull paskemi arrit nivel të lartë pjekurie dhe jemi shumë vetëkritik e nuk i lëmë vetes asgjë mangët në kritikat tona të ashpra. Por, nga ana tjetër, nëse jemi aq kritik dhe rigoroz ndaj vetes, del që nuk paskemi vetëdije e kulturë të ulët, sa pretendohet në po të njëjtat kritika. E nëse është kështu, atëherë na imponohet pyetja se çfarë ndodh në të vërtetë. Cila tezë qëndron? Kemi, apo nuk kemi vetëdije e kulturë të ulët?
Përgjigja e këtyre pyetjeve është më se e tejdukshme. Mjafton vetëm t’ua hedhim një sy kritikave dhe do vërejmë që ajo “elitë” intelektuale e cila assesi nuk mund t’i gëlltis këto tragjedi, gjen guximin për ta kritikuar popullin, por asnjëherë entitetet, institucionet e organet shtetërore, bashkë me individët që kanë pozita vendimmarrëse dhe që kanë obligim e detyrë, madje dhe marrin paga mujore për ta ngritur vetëdijen dhe kulturën e popullit. Si duket, për ta, shumë më lehtë është të kritikohet i gjithë populli, t’i hidhet e gjithë barra një nocioni të tillë abstrakt, e njëkohësisht ta distancojnë veten nga ky përgjithësim. Sikur kritikuesit nuk janë të përfshirë brenda nocionit “popull”, sikur ata vijnë nga një shtresë e veçantë e atij populli, nga ndonjë kast më i lartë, nga ndonjë “super popull”. Mirëpo, dëmi që e bën kjo “elitë”, nuk është te distancimi i vetes nga populli, por kur ia hedh popullit, e ndryshon diskursin dhe e amniston fajtorin e vërtetë duke e larguar atë krejtësisht nga debati. Këtu, vlen të theksohet që në mesin e kësaj “elite”, ka të atillë që këtë e bëjnë qëllimisht dhe me agjendë, por edhe të atillë që me naivitetin e tyre bien pre e këtyre të parëve.
Si dëshmi që nuk e ka populli fajin edhe pse shpeshherë dëgjomë se populli jonë nuk shkon në teatër, se publiku mungon e se ne nuk blejmë libra e nuk lexojmë, mjafton të paraqiten disa fakte. Sa për shkuarjen në teatër, p.sh. në vitin 2018, në objektin tashmë të uzurpuar, u organizuan 101 shfaqje për publikë prej rreth 20.000 fëmijë, dhe përsëri nuk arritëm t’u përgjigjemi kërkesave të shumta që na vinin nga të gjitha anët. Kurse sa për blerjen dhe leximin e librave, do mundem ta parafrazoj menaxherin e “Nobelit”, Latif Mustafa (le të më ndjejë që po e përmend me emër), i cili si në bisedën tonë private, ashtu edhe në shkrimin e tij lamtumirës, shprehet se si shkak për mbylljen e librarisë nuk është mungesa e blerësve dhe lexuesve, por mungesa e mbështetjes institucionale.
E institucionet, organet shtetërore, vet shteti, nuk janë nocione abstrakte si “populli”, por janë entitete që pas tyre qëndrojnë njerëz, politikanë, funksionarë… me emër e mbiemër. Ata që shkelin ligjin për ta uzurpuar godinën e teatrit (lexo Fatmir Besimi), ata që nuk munden të subvencionojnë një librari (lexo Valmir Aziri), ata që nuk munden të ndajnë një hapësirë me qira simbolike për librari (lexo Visar Ganiu), ata që e shkatërruan bibliotekën universitare (lexo Frymzim Dauti)… Apo me pak fjalë, ata që kulturën e shohin si një tender më shumë.
Këta, dhe plot të tjerë si këta, janë përgjegjësit e vërtetë për tragjeditë tona kulturore, bashkë me “elitën” tonë intelektuale që përpiqet me çdo kusht t’i fshehë këta të parët pas nocionit “popull” e t’i mbajë larg opinionit kur është fjala për përgjegjësi.