Maqedoni

Radev-Mitsotakis: Marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë do të përfshihen në kuadrin negociator të Maqedonisë së Veriut

Marrëveshja e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit dhe Marrëveshja e Prespës duhet të përfshihen në kornizën negociuese të Maqedonisë për anëtarësim në BE, bëri thirrje presidenti bullgar Rumen Radev gjatë takimit të tij me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Në fokus të bisedës ishte promovimi i lidhjes dypalëshe energjetike, transporti dhe ekonomike midis Bullgarisë dhe Greqisë. Të dy përshëndetën rinovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik midis Bullgarisë dhe Greqisë, të cilin e identifikuan si vendimtar jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.

“Qëndrimi i përbashkët është se integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut është në interes të të gjithë rajonit, por procesi duhet të ndërlidhet me respektimin e vlerave evropiane dhe obligimeve të marra në marrëveshjet dypalëshe”, thuhet në kumtesën e Kabinetit e Presidentit bullgar.