Do të hiqet vetëm njëra nga anijet në Vardar, Qyteti i Shkupit do të zbatojë vendimin gjyqësor
“Kjo është një nga anijet e vendosura në lumin Vardar, demolimi i të cilës filloi vetëm pak muaj më parë, apo pak muaj para zgjedhjeve lokale. Me përfundimin e zgjedhjeve lokale dhe ndërrimin e kryetarit të Qytetit të Shkupit, punëtorët u larguan dhe nuk janë parë më për të vazhduar me demolimin e kësaj anije. Siç mund ta shihni ka mbetur vetëm struktura e kësaj anije, apo le të themi si një anije e braktisur nga ekuipazhi i saj”.
Kjo anije e mbetur në këtë gjendje herë pas herë tërhiqte vëmendjen e kalimtarëve. Disa e vështronin nga larg, e disa të tjerë hynin brenda për të shuar kureshtjen. Edhe pse aty nuk po punonte askush për mënjanimin e pjesës së mbetur të anijes, nga Qyteti i Shkupit thonë se anija në fjalë do të largohet plotësisht. Për dy te tjerat nuk kanë nisur procedurë.
“Largimi i anijes në fjalë do të realizohet plotësisht ashtu si parashikohet në vendimin gjyqësorë të formës së prerë. Për dy anijet tjera nuk është hapur asnjë procedurë”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.
Kontratat për shfrytëzimin e anijeve që Qyteti i Shkupit ka nënshkruar më kompani të caktuara skadojnë në vitin 2035, në rast të prishjes së njëanshme të këtyre kontratave, Qyteti duhet të paguajë dëmshpërblim prej rreth 6 milion eurosh. Nga Qyteti i Shkupit, kur me të drejtonte Petre Shilegov informuan se largimi i anijes do të ulë rrezikun e daljes së lumit Vardar nga shtrati, duke rikujtuar vitin 2017, kur në qendër të qytetit lumi doli nga shtrati i vogël, pas reshjeve të dendura të shiut. Ndërsa thanë se po përgatitej terreni ligjor që pas largimit të kësaj anije të bëhet edhe largimi i të dytës. Studimet i UNDP-së rreth ndikimit të këtyre anijeve në rrjedhën e lumit, të realizuara së bashku me Qytetin e Shkupit dhe Qendrën për Menaxhim me Kriza tregon se që nga vendosja e anijeve rrjedha e lumit Vardar është zvogëluar për 1/3.
Anijet në Vardar janë pjesë e projektit “Shkupi 2014” të realizuar gjatë qeverisjes në VMRO-DPMNE-së.