Shkollat shqipe vazhdojnë të zgjerohen pa ndalë në Zvicër
Vazhdon suksesi i “Shkollës Shqipe – Zvicër”. Janë hapur dhjetëra e dhjetëra shkolla në mbarë Zvicrën, qindra e qindra nxënës kanë filluar gjatë këtij viti shkollor orët mësimore në gjuhën amtare. Kjo është pika e tretë shkollore (pas Cham, Baar) në Kantonin e Zug-ut. Me të drejtë thuhet: “Aty ku punohet nuk mungon suksesi”. Kjo thënie vjetër dëshmohet dita -ditës në kuadër të pikave shkollore. Të mërkurën, me datën 15 dhjetor 2021 edhe zyrtarisht filloi mësimi në pikën shkollore në Rotkreuz, të Kantonit Zug, në Zvicër.
“Ne mësojmë shqip, në jemi shqiptarë”, – A ka gëzim më të madh se të dëgjosh këto fjalë nga fëmijët shqiptarë, të cilët edhe pse të lindur larg atdheut zemra ju rrah për gjuhën shqipe, për Kosovën, për Shqipërinë. Kështu ishte dje në klasën e mësueses Lumnije Klinaku – Neziri.
A ka gjë më të bukur se të shohësh klasën plot nxënës nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët hynë në klasë të motivuar për ta mësuar gjuhën amtare. Kështu ndodhi këtë të mërkure dhjetori ku dhjetëra nxënës nga Rahoveci, Dardana, Ohri, Gjilani, Ferizaji, Shkupi, Presheva, Ulqini etj., filluan mësimet në klasën e mësueses Lumnije Klinaku – Neziri. Një shkëlqim i veçantë kishte pushtuar fytyrat e nxënësve të cilët reflektonin optimizëm dhe dashuri ndaj gjuhë shqipe. Një buzëqeshje që dëshmonte një gjë të tillë shihej te të gjithë nxënësit të cilët filluan mësimet me qëllim që t`ia dalin kësaj sfide. Gjuha dëshmon atdhedashurinë, prandaj edhe kjo sfidë është një rast i rrallë në jetë për këta fëmijë të cilët edhe pse kanë lindur larg atdheut dëshirën për ta mësuar gjuhën e nënës e kanë motiv jete. Sa më herët që të fillojnë me mësimet në gjuhën shqipe, aq më lehtë do ta mësojnë atë.