27 vjet nga themelimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës
Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT), i njohur si Universiteti i Tetovës, njëri nga katër universitetet shtetërore në Republikën e Maqedonisë, u themelua më 4 qershor të vitit 1994. Ky universitet si institucioni i parë i arsimit sipëror me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë u themelua nga Kuvendi për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe, i cili u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal të Tetovës, me nismë dhe në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni.
Në këtë kuvend u soll vendimi për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe dhe vendimet për zgjedhjen e organeve të tij. Më vonë, ky universitet u emërtua si Universiteti i Tetovës, sipas selisë së tij. Ideator, nismëtar dhe hartues i strategjisë për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe ishte Abdulla Mehmeti, kryetar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, i cili me bashkëpunëtorët e tij e ka përgatitur dhe organizuar Kuvendin për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe dhe i ka hartuar e nënshkruar aktet për themelimin e këtij universiteti dhe emërimin e organeve të përkohshme të tij, si: Vendimin për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe, Deklaratën për themelimin e Universitetit; Vendimin për emërimin e Këshillit për themelim dhe të Kryesisë së këtij Këshilli, në përbërje: Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prof. dr. Murtezan Ismaili dhe Prof. dr. Agni Dika; Vendimin për Komisionet amë të fakulteteve dhe akte të tjera të universitetit dhe fakuleteve të tij. Universiteti i Tetovës është zyrtarizuar në janar të vitit 2004, me sjelljen e Ligjit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Mësimi në këtë institucion zhvillohet kryesisht në gjuhën shqipe, si dhe në gjuhën maqedonase dhe gjuhën angleze.
Data të rëndësishme të Universitetit janë: 4 qershori, Dita e themeilimit të Universitetit; 17 dhjetori, dita e nënshkrimit të Aktvendimit për funksionimin e këtij Universiteti me mbështetje nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare, shoqatave të qytetarëve, Kuvendeve komunale, të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, si dhe personalitete nga jeta publike. Rektor i parë i këtij Universiteti ka qenë, Prof. dr. Fadil Sulejmani, ndërsa pas tij këtë detyrë e kanë ushtruar: Prof. dr. Ramiz Abdyli, Prof. dr. Nexhbedin Beadini, Prof. dr. Sadi Bexheti, Prof. dr. Agron Reka. Detyrën e Rektorit të këtij institucioni të arsimit të lartë në fund e ka kryer Prof. dr. Vullnet Ameti ndërsa së fundmi ushtrues detyre për momentin është Prof.DR.Reshat Qaili.