Maqedoni

Buçkovski: Do të hyjmë në një pasiguri të re nëse nuk dakordohemi me Sofjen tani

Përfaqësuesi Special i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për Bullgarinë thotë se kryeministri Zaev mbetet në pozitë për të mbyllur këtë proces negociues me kryeministrin e ri bullgar.

Mbetet pasiguri nëse mund të gjendet një zgjidhje për të zhbllokuar veton bullgare nga Këshilli i BE-së në mes të dhjetorit, pasi pritshmëritë e Shkupit nuk përputhen me të gjitha mesazhet që vijnë nga Sofja.

Dilema kryesore është – a ka kohë për një zgjidhje në një periudhë kaq të shkurtër kohore? Përfaqësuesi special i Qeverisë së Maqedonisë për Bullgarinë, Vllado Buçkovski, të cilit në këtë pozitë një javë më parë iu vazhdua mandati, tha për “DW” se bisedimet nuk zhvillohen nga sot në nesër, por zgjasin një periudhë më të gjatë.

“Pesë pikat janë objekt i bisedimeve për më shumë se një vit. Gjatë qeverisjes zyrtare në Bullgari ka vazhduar komunikimi mes Ministrisë sonë dhe Ministrisë së Jashtme bullgare, në nivel ministror dhe ekspertësh. Gjatë vizitës në Sofje në qershor të këtij viti, delegacioni ynë i kryesuar nga kryeministri Zaev ka biseduar me presidentin Radev dhe kryeministrin në detyrë Janev për pesë pikat. Në tetor në Bërdo afër Kranjit, kryeministri Zaev foli dy herë me presidentin Radev, herën e dytë në prani të kancelares Merkel. Më pas, në një deklaratë publike, Radev ka konfirmuar se po kërkohen zgjidhje konkrete për 5 plus një pikë.

Ne prisnim që Bullgaria të ketë më në fund një qeveri politike. Është gjithnjë e më e sigurt se javën e ardhshme do të ketë një qeveri të re me Kiril Petkov. Çdo rezultat konkret nga negociatat e deritanishme duhet të verifikohet nga qeveria e re në Bullgari, e më pas nga një seancë ndërqeveritare e kryesuar nga dy ministrat e jashtëm.

Unë personalisht jam optimist se do të ketë rezultat, por për ne është më e rëndësishme – kur? Presim që një nga prioritetet e qeverisë së re në Bullgari të jetë pikërisht ‘çështja maqedonase’. Në fakt, kryeministri i caktuar i ardhshëm, Petkov, këtë e ka lënë të kuptohet në një intervistë për “Darik Radio” 4 ditë më parë”, kujtoi Buçkovski.