Kurti dhe Borrell përplasen për Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell kanë shprehur qëndrime të kundërta, lidhur me marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.
Në një konferencë të përbashkët për medie në Bruksel, kryediplomati evropian u shpreh i prerë në themelimin e Asociacionit, ndërsa kreu qeveritar tha se kjo marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
Përkitazi me këtë qëndrim, Borrell tha se nuk mund të ketë takim të ri të nivelit të lartë në dialog, derisa palët nuk kanë vullnet për rezultate konkrete.
“Ajo çka u tha gjatë këtij takimi është se krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit, kjo marrëveshje është e lidhur në mirëbesim nga palët e përfshira. Sigurisht që presim që të gjitha marrëveshjet të zbatohen nga dy palët. Sepse adresimi i nevojave të komunitetit serb është element i rëndësishëm i procesit të normalizimit. Me të njëjtat fjalë e kemi trajtuar këtë çështje me kryeministrin Kurti. Pra kjo pjesë e marrëveshjes duhet të implementohet”, tha ai.
Por Kurti tha se nga 33 marrëveshjet me Serbinë, dy të tretat prej tyre nuk janë zbatuar nga Serbia.
“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat nuk janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë, Serbia kërkon zbatimin e vetëm njërës prej tyre, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Kurti.
Tutje ai shtoi se kur është bërë publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese, asnjë serb i Kosovës nuk ka protestuar.
“Mbaj mend më 23 dhjetor 2015, kur u bë publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese, asnjë serbë i Kosovës nuk kishte protestuar, vetëm Beogradi. Është koha të kemi një dialog kur qytetarët janë përfituesit dhe jo politikanët. Kemi nevojë për një karakter diplomatik të dialogut që njerëzit të përfitojnë nga ai dhe po e riktheksoj se në dhjetor të 2015 serbët e Kosovës nuk është se janë marrë me vendimin e Kushtetueses, ka qenë Beogradi që është ankuar”, deklaroi ai.
Tutje, kryeministri Kurti vazhdoi duke thënë se dialogu nuk duhet të shërbej një politikani të caktuar por qytetarëve të Kosovës
“Të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lartë, për të kënqur një politikan apo tjetër nuk janë demokratike, unë jam demokrat. Dhe, mu për këtë besoj se kapitujt e ardhshëm të dialogut mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të jenë për të kënqur një politikan apo për të shpëtuar lëkurën e një politikani, apo fytyrën e një tjetri, por t’i shërbejmë popullit, duhet të jemi në shërbim të popullit. Dhe, kam frikë që ky Asociacion i Komunave me shumicë serbe, është në shërbim të Beogradit shumë më shumë sesa ndonjë qytetari serb të Kosovës, të cilëve ju shërbej po aq si kryeministër i Kosovë”, tha Kurti
Pavarësisht këtij qëndrimi, Borrell përsëriti gjatë konferencës se duhet të implementohet e marrëveshja për Asociacionin.
Madje, Borrell e quajti marrëveshjen për Asociacionin si më të rëndësishmen.