Nuk është vetëm problemi me Bullgarinë pengesë për Maqedoninë, por edhe korrupsioni!
Prof. dr. Zeqirja REXHEPI
Procesi i Euro-integrimeve të RMV-së, tashmë një kohë të gjatë po ngec, sikurse thuhet për shkak të bllokimit të Bullgarisë, e cila ka vendosur VETO, edhe pse botërisht dihet se RMV-ja nuk plotëson një varg kriteresh të tjera, ndër të cilat parësor është funksionimi i shtetit ligjor dhe i demokracisë parlamentare, përfshirë këtu ndalimin e korrupsionit!
Problemi me RMV-në, edhe në rastin me Greqinë, edhe tani me Bullgarinë, është i lidhur me të kaluarën e tyre historike.
Historianëve shqiptarë nuk u takon të merren me një çështje, e cila nuk është produkt i tyre. Ndërkaq, historianët maqedonas duhet t’i kontribuojnë çështjes, për t’i hapur rrugë procesit politik të shtetit!
Mirëpo, këtu nuk qëndron i tërë problemi, sepse RMV-ja ka dhënë prova të mjaftueshme se i nënshkruan marrëveshjet, por nuk i jetëson ato, duke i lënë të shënuara vetëm në letër!
Të habit fakti se sa shumë janë të interesuar përfaqësuesit politikë shqiptarë në parlament, madje lirisht mund të thuhet, edhe më shumë se vetë maqedonasit, aq sa krijohet bindja sikur kanë harruar se për cilën kauzë i ka zgjedhur populli!