Maqedoni

Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë me propozim për ngrirjen e çmimeve

Pasi çmimet e ushqimeve u rritën ndjeshëm, ministri Kreshnik Bekteshi vendosi në seancën e radhës të qeverisë të kërkojë ngrirjen e çmimeve të ushqimeve bazë. Vendimi për ngrirjen e çmimeve të miellit, qumështit, vajit dhe produkteve të tjera bazë do të merret më së voni deri të martën.

“Ministria e ekonomisë në seancën e ardhshme të Qeverisë do ta paraqesë propozim- vendimin për ngrirjen e çmimeve të produkteve themelore ushqimore”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Ekspertët thonë se Qeveria duhet të kishte reaguar më shpejt. Përveç çmimeve joreale të produkteve themelore, në treg ka produkte që janë më të shtrenjta pa asnjë bazë”, shprehet profesori universitar Rahmetulla Ferati për “Alsat”.

Nga Inspektorati i tregut thanë se nëse Qeveria vendos të ngrijë çmimet, do t’i forcojnë kontrollet.

“Kontrollojmë nëse çmimet janë të njëjtat me ato që janë shënuar në librin e evidentimit të tregtarëve…”, thonë nga Inspektorati i Tregut.

Rritja e madhe e çmimeve të ushqimeve filloi me shtrenjtimin e vajit ushqimor. Para dy muajsh një litër vaj kushtonte 50 denarë, ndërsa tani kalon mbi 100 denarë. Rritje të çmimeve ka thuajse te të gjitha produktet ushqimore. Për 15 denarë më shtrenjtë shitet një kilogram miell, ndërsa për më shumë se 10 denarë është shtrenjtuar edhe qumështi. Disa herë gjatë dy muajve të fundit, pikërisht ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi deklaronte se Qeveria e ndjek situatën me inflacionin dhe nuk sheh arsye të intervenojë në rritjen e çmimeve.

Në ndërkohë disa nga shtetet e rajonit i ngrinë çmimet e ushqimeve dhe prodhimeve për higjienë personale, ndërsa në Kroaci u ngrinë edhe çmimet e karburanteve.