Maqedoni

OBRM-PDUKM kërkon ndërtimin e një deponie të re në Shkup

Dita e fundit e debatit mbi amendamentet për propozim buxhetin e vitit të ardhshëm. Projektet infrastrukturore në komuna të caktuara dhe ndërtimi i një deponie të re rajonale, janë pjesë e amendamenteve të diskutuara sot nga deputetët në komision. Sipas deputetëve të opozitës, ndërtimi i një deponie të re në Shkup është i domosdoshëm për të ulur ndotjen në këtë qytet.

“Sigurimi i mjeteve në vlerë prej 400 mijë eurove për ndërtimin e deponisë rajonale në Shkup, me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së madhe të tokës dhe ajrit të ambientit në rajonin e Shkupit”, tha Bojan Stojanovski- deputet i OBRM-PDUKM-së.

Sipas ministrit të Financave Fatmir Besimi, nuk ka nevojë të ndërtohet një deponi e tillë, sepse ka plane dhe programe specifike për menaxhimin e duhur të mbeturinave.

“Sipas informacioneve nga ministria përkatëse, duke qenë se politika për menaxhimin rajonal të mbeturinave tashmë është duke u zbatuar, nuk ka nevojë të ndërtohet e njëjta në qytetin e Shkupit. Nisur nga kjo, ky amendament nuk pranohet”, deklaroi Fatmir Besimi- Ministër i Financave.

Pas përfundimit të debatit për amendamentet, propozim buxheti do t’i paraqitet komisionit legjislativ-juridik, dhe më pas do t’i dërgohet Qeverisë për të prezantuar ndryshimet. Për momentin ka një amendament të pranuar të opozitës, i cili kërkonte rritje të shumës së parave për planin e ndërhyrjes në bujqësi.