Bekim Sali ministër i shëndetësisë?
Kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i Alternativës, Afrim Gashi parimisht janë marrë vesh mbi aspektet programore, ndërsa vijon ndarja e resorëve. Në njoftimin e Qeverisë thuhet se pas konsultimeve brenda partiake, do të mësohet edhe dinamika e takimeve të ardhshme.
“Në takim u arrit pajtim për një pjesë të programit nga bashkëpunimi i mundshëm për pjesëmarrjen e Alternativës në Qeveri. Kursi reformues dhe evropian për të cilin janë përcaktuar qytetarët dhe shteti patjetër duhet të vazhdon. Janë shkëmbyer mendime edhe për çështjet kadrovike, përkatësisht ministra, zëvendësministra dhe pozicione tjera udhëheqëse në kuadër të pushtetit qendror”.
Para takimit Gashi deklaroi vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në tejkalimin e krizës ekonomike, politike, shëndetësore dhe energjetike. Lidhur me mandatarin e ri Gashi tha se kjo është çështje e LSDM-së në të cilën nuk duan të ndërhynë.
“Për ne është me rëndësi të merremi vesh konceptualisht dhe përgjegjësia që merret nga partitë politike në këtë rast LSDM-ja, duhet të merremi konceptualisht, ndërsa zgjidhjet kadrovike të partive në nuk mund t’i kontestojmë”- deklaroi Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.
Jo zyrtarisht Alternativa pretendon ministrinë e Shëndetësisë dhe një zëvendëskryeministër në mesin e katër prej tyre sa momentalisht numëron Qeveria. Ndonëse Alternativa vlerëson se është akoma herët të fitet për ndarje të resorëve, burime jo zyrtare thonë se Bekim Sali është emri i cili lakohet brenda organeve partiake për ministër të Shëndetësisë.