Diaspora

Si u arrestuan nxënësit shqiptarë në Medvegjë pasi festuan “28 Nëntorin”?

Shqiptarët si kurrë herë i bashkon “Festa e Flamurit”.

Në këtë datë të shënuar, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre, kudo që jetojnë e punojnë, kremtojnë me krenari dhe emocion “Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”.

Por, nga kjo ndjesi po privohen shqiptarët e Medvegjes.

Atyre po u mohohen të drejtat nga shteti i Serbisë.

Ndonëse kanë mbetur të paktë në numër që jetojnë e punojnë atje, ata këtë datë e festojnë në heshtje.

Madje edhe nxënësit shqiptarë, në shkolla fshehurazi thurin vargje e diskutojnë për “Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”.

Ata nuk guxojnë të vendosin flamuj kuq e zi, një gjë e tillë konsiderohet shkelje e ligjit nga autoritetet serbe.

Përfaqësuesja e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegje, Lirona Zuka, në një intervistë për Front Online, thotë se në këtë datë, në shkollat shqipe flitet për “28 Nëntorin”, recitohet për Shqipërinë e pikturohen flamujt kuq e zi, por fshehurazi.

“Festa e ‘28 Nëntorit’ në Medvegjë ‘festohet’ pothuajse në heshtje. Nuk ka ndonjë organizim të veçantë sa i përket shqiptarëve këtu. Zakonisht në shkollat shqipe, me ‘28 Nëntor’ flitet për këtë datë të shenjtë për shqiptarët, recitohet ndonjë poezi për Shqipërinë, pikturohet flamuri kuq e zi, por edhe këto gjëra të vogla nuk bëhen haptazi dhe jo publikisht sepse simbolet kombëtare shqiptare janë jo vetëm të ndaluara, por merren si shkelja më e rëndë e ligjit”, tha ajo për Front Online.

Ajo derisa rrëfen për mohimin e të drejtave që u bëhen atyre, kujton kohën kur kishte nxënëse dhe së bashku me moshatarët e saj ishte arrestuar nga policia serbe, pas ngritjes së flamurit kuq e zi.

“Nuk ka pasur ndonjë ‘festim’ të veçantë të kësaj dite në Medvegjë. Edhe kur ka pasur tentim të festimit, tentim të ngritjes së flamurit, tentim edhe të shprehjes së atdhedashurisë jo vetëm se janë penguar, por janë ndaluar. Me kujtohet rasti i njëjtë kur isha nxënëse në shkollën e mesme në Medvegjë, kur nga ne nxënësit shqiptarë u ngrit flamuri kuq e zi, pas ngritjes ne nxënësit u arrestuam dhe u mbajtëm në stacion policorë disa orë duke dhënë deklarata”, rrëfen tutje ajo.

Zuka thotë se për të mos u përsëritur një gjë e tillë, policia serbe për çdo “28 Nëntor ka shtuar kujdesin në shkolla.

Ajo thotë se nuk është lejuar as veshja kuq e zi që simbolizon ngjyrat e flamurit.

“Në çdo ‘28 Nëntor’ tjetër në shkollë ka pasur kujdes nga ana e Policisë, kujdestarëve që rasti i njëjtë të mos përsëritët, por edhe mos të përsëriten rastet e veshjeve kuq e zi. Madje nuk ishin te mirëpritura as postimet që kishin karakter patriotik”, thotë ajo për Front Online.