Maqedonia e Veriut arreston kontrabandistët e dyshuar për torturimin e emigrantëve
Një grup prej dy pakistanezësh dhe dy të mitur afganë u arrestuan në Maqedoninë e Veriut mes dyshimeve se kanë kryer krime kundër emigrantëve të tjerë.
Katër të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një rrjeti të trafikut të qenieve njerëzore. Prokurorët pretendojnë se grupi ngriti kampe të improvizuara pranë kufirit serb, ku do të strehonin emigrantët që kishin ardhur nga Greqia me shpresën për të arritur në Evropën Perëndimore.
Të dyshuarit do t’i ndalonin migrantët në kampe me forcë dhe do t’u merrnin celularët dhe dokumentet personale, duke e bërë të pamundur çdo komunikim jashtë kampit.
Sipas prokurorëve, katër të dyshuarit kanë keqtrajtuar edhe fizikisht viktimat e tyre, si dhe u kanë dërguar fotografi familjarëve të viktimave për të zhvatur para për lirimin e tyre.
“Ata i trajtuan banorët e kampeve në një mënyrë jashtëzakonisht mizore dhe poshtëruese, duke përfshirë abuzimin seksual”, thanë zyrtarët.
Megjithatë, dy nga emigrantët arritën të raportojnë grupin pasi u larguan nga kampi dhe kaluan kufirin për në Serbi, raporton DW.
Kjo nxiti një përpjekje të përbashkët nga shërbimet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Autoritetet bastisën kampin gjatë fundjavës ku gjetën 35 emigrantë, përfshirë nëntë të moshës 14 dhe 15-vjeçare.
Nëse shpallen fajtorë, të dyshuarit do të përballen me një dënim minimal prej tetë vjetësh burgim.