April 25, 2024
Maqedoni

Partnerët e koalicionit me kërkesë për Zaevin: Na trego çfarë bisedon me Gashin dhe kush është mandatari i ri?

Partitë e vogla që janë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja kërkojnë nga lideri i partisë Zoran Zaev që t’u tregojë detajet e takimit me Alternativën, çfarë është diskutuar konkretisht dhe çfarë i është ofruar Afrim Gashit. Ata janë në kërkim të informacioneve edhe se kush do të jetë lideri i ri i partisë dhe kryeministër i mandatuar për qeverinë e re, raporton televizioni Telma.
– Deri më tani nuk kemi pasur takim, ndoshta nesër – tha kryetari i DS-së, Pavle Trajanov.
Edhe nga LDP-ja thonë se për këtë çështje nuk ka pasur asnjë takim apo komunikim.
– Ne nuk kemi pasur një takim apo komunikim për këto tema. Nëse zgjedhja e kryetarit të ri të LSDM-së është demokratike, askush nuk mund të paragjykojë paraprakisht se kush do të fitojë. Vetëm këtë herë shpresoj se do të kenë më shumë se një kandidat për pozitën udhëheqëse – tha për Telma Goran Milevski nga LDP.