Kongresistët amerikanë kërkojnë të zgjidhet kontesti mes Shkupit dhe Sofjes
Të zgjidhet kontesti bilateral mes Sofjes dhe Shkupit që të mundet Maqedonia e Veriut t’i fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit. Kërkesë të tillë i dërguan kongresistët nga Komiteti i Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësueseve të SHBA-së ambasadorit bullgar në Uashington.
“Shpresojmë se do t’i lini dallimet me një anë dhe do të mbështetni integrimin e plotë politik të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në letrën e grupit kongresist dypartiak dërguar ambasadorit Tihomir Stojçev.
Krahas asaj që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i përmbushën kushtet që t’i fillojnë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian, thuhet në letër, mbetet kontesti mes shtetit tuaj dhe Maqedonisë së Veriut, që i pengon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që t’i fillojnë ato bisedime. Sipas tyre, shtyrja e mëtutjeshme e progresit të Shkupit dhe Tiranës drejtë BE-së do të hedhë dyshime në angazhimet e liderëve perëndimorë dhe do të hapë derën për ndikimet politike antiperëndimore në rajon, konkret nga Kina dhe nga Rusia.
“Besojmë se anëtarësimi eventual i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE është me rëndësi kyçe për paqen dhe stabilitetin shumëvjeçar të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për gjithë bashkësinë transatlantike, thuhet në letrën e kongresistëve amerikanë.