Lira turke bie në nivel rekord ndërsa Erdogan sinjalizon ulje të normës
Lira turke humbi terren duke shënuar një nivel të ulët rekord kundrejt dollarit të mërkurën, pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u zotua se do të nxiste përpjekjet për të arritur norma më të ulëta interesi, një ditë përpara një takimi kritik të bankës qendrore për përcaktimin e normës.
“Ne do ta heqim çështjen e normave të interesit nga shpina e popullit tone. Unë do të luftoj kundër normave të interesit për sa kohë të jem këtu”, tha Erdogan duke iu drejtuar anëtarëve të partisë së tij në pushtet në parlament, në Ankara.
Lira shënoi nivelin rekord më të ulët prej 10.52 kundrejt dollarit amerikan, një humbje prej 1.4 për qind në tregun e këmbimit valuator të mërkurën.
Presidenti konservator islamik mbron një teori joortodokse se normat më të larta të interesit shkaktojnë inflacion më të lartë.
Nën presionin e Erdoganit, banka qendrore, me guvernatorin e saj të ri, uli normat bazë të interesit nga 19 në 16 për qind në shtator, duke nxitur një rënie të lirë të lirës turke.
Lira humbi 30 për qind në vlerë që nga fillimi i vitit, një nga monedhat me performancën më të keqe në tregjet në zhvillim.
Një ulje e mëtejshme e normës pritet në mbledhjen e bankës qendrore të enjten.
Erdogan ka zëvendësuar tre guvernatorët e bankës qendrore në dy vitet e fundit, duke shkaktuar rënien e besimit te investitorët.