Snopçe: Nuk ikim prej zgjedhjeve, mendojmë se kemi siguruar 61 deputetë
Aleanca për Shqiptarët nuk ka një skenar të dytë se çfarë pas mosrrëzimit të Qeverisë Zaev 2.
Deputeti i kësaj partie, Halil Snopçe thotë se nuk kanë menduar se çfarë pas mbrëmjes së djeshme, pasi siç tha, prioritet për momentin është të dinë se çfarë ka ndodhur me deputetin e Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.
Shton se janë për zgjedhje parlamentare, por mendojnë se kanë siguruar 61 deputetë.
Plani i tyre ishte të rrëzohet qeveria dhe të krijohet shumicë e re parlamentare, sqaroi më tej Snopçe.
“Ditën e djeshme as që kemi menduar dhe sot as që mendojmë se çfarë do të ndodh. Brenga jonë kryesore është që të dimë se çfarë ndodh me deputetin i cili u zhduk thjeshtë. Është e vërtetë se kishim një video-paraqitje, por kush garanton se ajo video-paraqitje është me vendimin e tij të lirë? Ndoshta ka qenë i shantazhuar edhe të japë atë deklaratë, sepse shihej qartë se edhe e lexonte atë deklaratë! Pra fillimisht ta qartësojmë se çfarë ka ndodhur. Normalisht, ne asnjëherë nuk ikim prej zgjedhjeve edhe pse mendojmë se kemi siguruar 61 deputetë, sepse aty ishin 61 nënshkrime të të përzgjedhurve të popullit. 61 njerëz sepse kanë nënshkruar vullnetarisht dhe me 61 nënshkrime duhej të rrëzohej kjo Qeveri. Ne deklaruam publikisht, se nëse rrëzohet qeveria shkojmë me hapin e dytë dhe hapi i dytë sigurisht është që të mundohemi që të jemi pjesë e një shumice të re parlamentare. Tani, faktikisht kjo situatë është situatë e re”, tha Snopçe, transmeton TV21.