Qytetarët ankohen për rritjen e çmimit të ilaçeve
Ilaçet janë bërë të pa përballueshme për shumë familje në vend. Me rritjen e përdorimit të disa prej ilaçeve për sëmundje kronike dhe antibiotikëve shkaku i pandemisë, kanë hipur edhe çmimet. Qytetarët ankohen se gjithnjë e më shumë para duhet të ndajnë nga buxheti i tyre familjar për barna. Edhe pse janë në listën pozitive, çmimi i disa barërave ka shënuar rritje në këto 6 muajt e fundit. Ndërsa, ato që shiten privat janë rritur në mënyrë të pakontrolluar thonë pacientët dhe farmacistët.
“Ja me recetë 780 denarë, si nuk është shtrenjtë. Kam terapi të rregullt dhe kjo nuk ndalet me një muaj e mos të flas për barërat tjera që nuk mund ti marr me rekomandim të specialistit se nuk gjej termin dhe jam i detyruar të paguaj privatisht.”
“Shumë, më vjen keq për ata që nuk kanë para, tani isha dëshmitar për dy të moshuar që me 4 mijë denarë pension ndërsa shërbimet spitalore u desh t’i paguaj 6 mijë denarë. Çfarë do të hajë ai njeri. 1500 euro unë kam shpenzuar këtë muaj për shëndetësi edhe pse me sigurim shëndetësor.”
“Zakonisht marr terapi për hipertension dhe janë të shtrenjta, gjitha duhet ti paguaj privatisht mbi 600 denarë për secilën. Me sugjerimet e mjekut amë për barnat nga lista pozitive, unë jam alergjike dhe duhet të bëja kombinime kryesisht nga ato private.”
Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor thonë se në top-5 e përdorimit të barnave vjet kanë kryesuar ato për sëmundje të zemrës, për sëmundje nervore dhe për diabet. Sipas tyre në listën primare janë 934 barëra që qytetarët i paguajnë vetëm participim, për të cilat vitin e kaluar janë shkruar mbi 24,5 milion recetë dhe Fondit i kanë kushtuar 45,2 milion euro brenda një viti. Kjo shifër sivjet është edhe më e fryrë.
FONDI I SIGURIMIT SHËNDETËSOR
(ENALAPRIL (Kundër Hipertensionit) 2,029,919
METFORMIN (Diabet) 1,633,619
DIAZEPAM (Qetësues nervor) 1,311,615
BISOPROLOL (Sëmundje të zemres) 1,072,556
LISINOPRIL (Qarkullim të gjakut) 1,013,302
Drejtori Faton Ameti thotë se kanë bërë intervenim në uljen e çmimit të referencës me një bar të ri për njërin nga antibiotikët më të konsumuar në vend, që në opinion njihet si Pancef ku vetë participimi nga lista pozitive ishte zero, dhe tani qytetarëve i njëjti po ju kushton 294 denarë shtesë.
“Kohën e fundit jemi përball për një barë të caktuar, gjegjësisht për gjenerikën ‘Cefaksin’ ne kemi pasur në treg vetëm një bar të caktuar, për të cilin pacientët kanë paguar participim, por jo edhe pagesë shtesë, ndërsa me regjistrimin e barit të ri duke e futur në listën pozitive që ka çmim më të lirë do të merret pa pagesë shtesë, ndërsa bari paraprak që ishte pa participim ka kaluar në një kategori tjetër dhe paguhet me kosto shtesë nga pacientët”, deklaroi Faton Ameti, Drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se me kërkesë të Komisionit vendimmarrës kanë miratuar rritjen e disa barnave që përfshihen nga lista pozitive e Fondit. Ndërsa, rritja e çmimeve të barnave private dhe të disa shërbimeve shëndetësore thonë se janë rritur për shkak të shtrenjtimit në tregun botëror.
“Bëhet fjalë për barna që trajtojnë sëmundjen e Parkinsonit, epilepsinë dhe ulcerën gastrike, si dhe dy antibiotikë. Në interes të qytetarëve për të siguruar këto barna për tregun tonë, rritja e çmimit është nën mesataren e çmimeve të barnave në vendet referente dhe në vendet e rajonit”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Se janë shumëfishuar profitet e industrisë farmaceutike në kohën e pandemisë e tregojnë raportet vjetore financiare të firmave që prodhojnë, distribuojnë e shesin barna. Tani që janë duke u rritur çmimet e barnave në nivel global, shteti nuk ka përdorur mekanizmin për ngrirjen e këtyre çmimeve.