Maqedoni

Ali Ahmeti: BDI fitues i pakontestuar i këtyre zgjedhjeve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në “Facebook” u shpreh procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Edhe në këto zgjedhje vendore, ju me vullnetin tuaj të shprehur lirshëm, e bëtë BDI-në tuaj fitimtare dhe për këtë jam shumë mirënjohës dhe si gjithmonë ju premtoj se asnjëherë në jetë nuk do të ju zhgënjej dhe nuk do të turpëroj”, shprehet Ahetmi.

Sipas Ahmetit, fitorja më e madhe është demokracia dhe liria dhe se në këto zgjedhje janë shprehur bindjet e secilit nëpërmjet votës së lirë.

“Organizata juaj, Bashkimi Demokratik për Integrim, ngadhënjeu në shumicën absolute të komunave dhe me votat e grumbulluara është fituesi i pakontestueshëm i këtyre zgjedhjeve në komuna dhe në nivel republikan. Ju faleminderit për besimin e dhënë. Kjo është edhe një përgjegjësi shtesë të cilën me faqëbardhësi do ta zbatojmë në përputhje me orientimet tona programore”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut ka nevojë për stabilitet, reforma dhe zhvillim, ndërsa ta SI BDI, janë të përkushtuar të ecin fuqishëm në rrugën drejt zhvillimit, reformave dhe integrimit evropian.