Lutja e pazakontë e presidentit ukrainas: Ndalni rrjetet sociale
Presidenti i Ukrainës ka bërë një lutje të pazakontë për vaksinim të shpejtë të njerëzve, teksa shteti po përballet me ngritje të madhe të rasteve me koronavirus. Presidenti Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje njerëzve “që t’i ndalin rrjetet sociale dhe ta ndezin trurin” për t’u vaksinuar, si formë e vetme për mbrojtje nga pandemia.
Ministria e Shëndetësisë në Ukrainë, në 24 orët e fundit, ka konfirmuar 26 mijë raste dhe 648 të vdekur. Autoritetet kanë fajësuar numrin e ulët të të vaksinuarve për shifrat vdekjeprurëse. Vetëm 16.4 për qind e 41 milionë banorëve janë të vaksinuar plotësisht në Ukrainë.
Presidenti ukrainas bëri lutjen pas raportimeve se njerëzit refuzojnë të vaksinohen për shkak të mosbesimit ndaj qeverisë dhe teorive konspirative për vaksinat.
Me qëllim që të ndalin përhapjen e madhe të koronavirusit, autoritetet në Ukrainë u kanë dhënë ultimatum mësuesve dhe punëtorëve qeveritarë që deri më 8 nëntor të vaksinohen plotësisht, përndryshe do të ndalen pagat.
Nga e hëna, restorantet, qendrat tregtare dhe sportive do të jenë të mbyllura në Ukrainë.