Maqedoni

Mickoski në Strugë, në mbështetje të Idri Istrefit

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski zhvilloi takim me kryesinë e Aleancës për Shqiptarët në Strugë. Ai bëri të ditur se do ta motivojë anëtarësinë e tyre në Strugë, që në rrethin e dytë ta përkrahin plotësisht kandidatin për kryetar komune nga Aleanca për Shqiptarët, Idri Istrefi. Mickoski përsëriti mbështetjen e dakorduar për kandidatët e Aleancës dhe Alternativës në mbarë vendin.

“Do të bëjmë çmos që të motivojmë jo vetëm anëtarësinë, por edhe përkrahësit edhe qytetarët e Strugës. Ne nuk i mbajmë votat në xhepa. Vlerësojmë se programi i ofruar nga kandidati i Aleancës për Shqiptarët këtu në Strugë, për Strugën është shumë më i mirë, më i qëndrueshëm dhe më i plotë se ai që ofron kryetari aktual, për të cilin e dini se çfarë tha Zoran Zaev një vit më parë, ndërsa tani e ndryshoi atë deklaratë… “, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, përkundër paralajmërimeve të Menduh Thaçit se në raundin e dytë PDSH-ja, kudo do ta mbështesë BDI-në, kandidati për kryetar të Strugës nga PDSH, Samir Murtezoski, ka paralajmëruar se në raundin e dytë do të qëndrojë pas Idri Istrefit nga Aleanca. Përkrahje për Istrefin kanë paralajmëruar edhe dega e Lëvizjes Besa.