(VIDEO) Raporti i KE: Korrupsioni mbetet çështje shqetësuese, është përhapur në shumë fusha
Raporti i Komisionit Europian vlerëson se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për të zbatuar të drejtën e Bashkimit Europian dhe standardet evropiane në fushën e sundimit të ligjiT.
Në pjesën për cilësinë e gjyqësorit në Raportin e KE-së theksohet se buxheti i sistemit gjyqësor është reduktuar për 8.3 për qind krahasuar me vitin 2019 dhe 2020, kur ishte 40 milionë euro, ose 19.5 euro për kokë banori, që është nën mesataren për rajonin e Ballkanit Perëndimor prej 37.8 euro për kokë banori. Digjitalizimi i paralajmëruar, nga ana tjetër, vlerësohet si një kafshatë shumë e madhe, duke qenë se deri më tani në masë të madhe varet nga donacionet e huaja, si dhe pagat jo tërheqëse për punësimin e ekspertëve të duhur të IT-së. Korrupsioni, thuhet në Raport, është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet çështje shqetësuese. Raporti i KE-së për sistemin gjyqësor të vendit vlerëson se është bërë progres i caktuar në zbatimin e strategjisë së reformës në drejtësi, me çka adresohen më tej rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe grupit të ekspertëve për çështjet sistematike të shtetit të së drejtës.
Raporti i KE-së
“Rekomandimet e Komisionit të Venedikut për rishikimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve që kanë të bëjnë me dygjuhësinë në procedurat gjyqësore nuk janë shqyrtuar ende. Gjyqtarët duhet të marrin të gjitha shtesat e pagave të tyre, ndërsa kërkesat nga administrata e gjykatës, duke përfshirë përparimin në karrierë, janë ende në pritje”.
Vitin e ardhshëm, shteti duhet të fokusohet në disa fusha.
Raporti i KE-së
“Shteti duhet të punoj në forcimin e zbatimit të qëndrueshëm të strategjisë së reformës në drejtësi dhe planit të rishikuar aksionar, me fokus të veçantë në miratimin e një ligji të ri për procedurë civile, në përputhje me standardet evropiane, zbatim të strategjive të burimeve njerëzore për rrjetin gjyqësor dhe të prokurorive, duke i përdorur ato si tregues për projeksionet për punësimet e ardhshme. Përmirësimi i sistemit të shpërndarjes automatike të lëndëve gjyqësore – AKMIS duke garantuar që ai të jetë plotësisht funksional dhe i besueshëm.”
Në fund të vitit 2020 kishte 493 gjyqtarë (23 për 100 mijë banorë), nga të cilët 61 për qind gra dhe 187 prokurorë publikë (nëntë për 100 mijë banorë) nga të cilët 55 për qind gra. Krahasuar me vitin 2019, në vitin 2020 ka një rënie të lehtë të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë.
Me rëndësi thelbësore thuhet më tej në Raport mbetet të sigurohet vlerësim adekuat i nevojave për personel, veçanërisht në shërbimet e prokurorisë.