Maqedoni

Argjent Gura: Bërvenica s’duhet të rrezikohet, kandidatë tjerë shqiptarë të tërhiqen nga gara (Video)

Kandidati i ASH-AAA-së për komunën e Bërvenicës, Argjent Gura, ka ftuar kandidatët e partive tjera shqiptare që të tërhiqen nga gara për Bërvenicën që të mos rrezikohet drejtimi i kësaj komune nga shqiptarët.

Në një intervistë për gazetën LAJM, Gura ka sqaruar se në vitin 2017 koalicioni ASH-AAA u tërhoq nga gara për të njejtën arsye dhe tha se, tani këtë duhet ta bëjnë kandidatët e partive tjera shqiptare.

“Në çdo cikël zgjedhor Komuna e Bervenicës e ka patur këtë problematikë. Mirëpo në të kaluarën kanë aritur disi kompromis palët. Në vitin 2017 Aleanca për Shqiptarët bashkë me Alternativën si koalicion, vendosën që mos të garojnë në ato zgjedhje me kandidat për kryetar të komunës. Me të vetmin qëllim që ta garantojnë udhëheqjen e saj nga një shqiptar, i cili ishte në atë moment i pavarur dhe fatmirësisht ky qëllim u realizua.

Në ato momente ishte një marrëveshje mes strukturave të Aleancës për Shqiparët dhe BDI-së se, listat e këshilltarëve të cilat do të gjeneronin më shumë vota, do të ju takonte kandidati i viti 2021. Mirëpo kjo marrëveshje verbale apo ky parim nuk u respektua deri në fund dhe tani kemi kandidatur nga BDI-ja. Problem më i madh se kjo është edhe kandidatura e kryetarit i cili garoi si i pavarur, mirëpo me përkrahjen e tre subjekteve politike shqiptare më 2017 kur fitoi. Ishte përkrahja e BDI-së, sepse ai ishte produkt dhe familje e BDI-së në dy mandatet e para. Ishte përkrahja e PDSH-së dhe e Aleancës për Shqiptarët.

Tre subjektet të cilat e garantuan fitoren e tij, tani po garojnë me kandidatët e vetë. Kryetari aktual i cili premtoi atëherë publikisht se është pjesëmarja e fundit në këto gara për këtë komunë. Tani mendon dhe ka bindjen se mund të ja dalë dhe kandidon si i pavarur”, tha Gura për gazetën LAJM.

Intervistën e tij të plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.