Maqedoni

Albin Kurti nesër vjen në Shkup, me qëndrimin kundër Ballkanit të Hapur në “xhep”

Shkup, 15 shtator – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do të vijë në Shkup, transmeton agjencia e lajmeve Zhurnal. Kurti do t’i prijë ministrave të qeverisë së Kosovës, në mbledhjen e parë të përbashkët të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
 

Në Shkup, njësoj si dje në Tiranë, Kurti mes tjerash do ta përsërisë qëndrimin e tij se Ballkani i Hapur është në favor të Serbisë e në dëm të shqiptarëve. Ndryshe në këtë mbledhje pritet harmonizimi i disa Marrëveshjeve/Memorandumeve, njoftoi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

“Mbajtja e seancës së përbashkët me Republikën e Kosovës konfirmon vazhdimësinë e raporteve të mira ndërfqinjësore, duke pasur parasysh se mbledhje të tilla janë mbajtur edhe me vendet e tjera fqinje. Përfitimet nga këto takime janë thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, komunikimi më i mirë i qytetarëve dhe bizneseve nga të dyja palë, projekte me interes të ndërsjellë, bashkëpunim më i mirë ndërkufitar dhe kështu me radhë.

Në mbledhjen e përbashkët qeveritare do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh, përkatësisht memorandume, me të cilat do të thellohet dhe do të përforcohet bashkëpunimi mes dy vendeve”, deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë. Sipas tij marrëveshjet, përkatësisht memorandumet janë nga fusha e infrastrukturës, diasporës, energjetikës, ekonomisë, turizmit, sigurisë, inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik dhe të tjera.