“Kisha po nxit luftën”, presidenca e Kosovës: Deklaratë e fortë për Malin e Zi!
Kisha Ortodokse Serbe nuk ka hequr dorë nga “diskursi i regjimit të Millosheviqit” e as nga “veprimet luftënxitëse të viteve të 90-ta”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim për ngjarjet e fundjavës në Mal të Zi.
Shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije të djelën në qytetin e Cetinjës shkaktoi tensione të larta e përplasje mes malazezëve dhe serbëve. Cetinja konsiderohet qendra kulturore dhe historike e Malit të Zi dhe simbol i identitetit shpirtëror dhe shtetëror për malazezët, por, në të njëjtën kohë, qyteti është seli e Mitropolisë së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Gjatë ceremonisë së shugurimit të Joanikijes u dëgjuan dhe këngë nacionaliste për Kosovën.
Në një reagim dërguar për REL, Kupina tha se “këngët me motive nacional-shoviniste, me thirrje të hapur kundrejt Kosovës, është një praktikë e hershme, por që ka marrë fund më 1999”. “Është paradoksale që në shekullin XXI, Kisha Ortodokse Serbe ende propagandonn ide serbomëdha të politikës së vjetër të Beogradit. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht që e ka ushtrinë e vet dhe institucionet e tjera të sigurisë”, u shpreh këshilltari.