Kolumna

Projekte të bashkëpunimit duhet ndjekur edhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar, meqë sipas traditës dhe praktikës, më i madhi e bën hapin e parë! Në këtë drejtim nuk mund të thuhet se bashkëpunimi mes institucioneve të shqiptarëve është i nivelit të lartë, prandaj qeveritë e reja, ajo e Kurtit në Kosovë, dhe ajo e reja në Shqipëri, bashkëpunimin midis dy vendeve duhet ta kenë njërin ndër prioritetet kryesore.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Bashkëpunimi mes shqiptarëve në Ballkan, pas periudhës së pluralizmit të viteve të ‘90-ta, nuk ka shënuar ndonjë përparim të veçantë, kjo me gjithë gojët plot të politikanëve se angazhohen për bashkëpunim mes njerëzve, që shpesh me patetizëm dhe folklorizëm i quajnë “të një gjuhe, etnie e gjaku”.

Diskursi politik i shumicës së partive shqiptare gjithandej është përplot formulime për bashkëpunim e projekte kapitale kombëtare, që tingëllojnë bukur, që janë shpresëdhënëse, por mungon veprimi. Nuk ka qeveri shqiptare dhe të Kosovës, e cila në kuadër të mandatit të saj, nuk organizon tryezë ose mbledhje të përbashkët qeveritare. Nuk mungon as ikonografia spektakolare, me flamurin kuq e zi dhe me flamurin me gjashtë yje, shtrëngime duarsh e përqafime “vëllazërore”, ndërsa për publicitetin e madh mediatik as që ka nevojë të flitet.

Në ndeshjen e Dinamosë së Zagrebit me ekipin e Skënderbeut nga Korça, komentatori sportiv, me gjasë kroat, komentoi se “Shqiptarët janë euforikë, do të luajnë mirë dhe fuqishëm në pjesën e parë, por nuk do të kenë energji për pjesën e dytë”. Kështu edhe ndodhi, Dinamo fitoi me dy gola epërsi, që u shënuar në pjesën e dytë.

Ky mendim, sado që ka brenda vetes shumë paragjykim dhe stereotip negativ për shqiptarët në përgjithësi, nëse hidhet nga terreni sportiv në atë politik, duket se ka bazë reale. Synimet për bashkëpunim shpesh mbeten në letra, përkatësisht në marrëveshje ndërshtetërore, të cilat shpesh nuk gjejnë zbatim. Kjo është pasojë e neglizhencës së institucioneve të dy vendeve, që u vjen vështirë të ndjekin jetësimin e projekteve, ndërsa nuk kanë munguar as hatërmbetjet mes kryeministrave, siç ishte ai mes Ramës dhe Haradinajt.

Dy kosovarë në Qeverinë Shqiptare

Në historinë më të re shqiptare nuk është gjithçka zi sa i përket bashkëpunimit mes shteteve ose përfaqësuesve politikë shqiptarë. Një model pozitiv ishte angazhimi i dy ministrave me prejardhje nga Kosova. Besa Shahini, aktiviste dhe eksperte e arsimit nga Kosova, e angazhuar në pozitën e ministres së Arsimit në Qeverinë Rama, ndërsa Gent Cakaj, edhe pse i ri në moshë, por me shkollim shumë të avancuar, u bë ministër i Jashtëm. Nuk kanë reshtur shumë zëra intelektualësh e mendjesh, gjoja të ndritura në Tiranë e gjetiu në Shqipëri, duke i stigmatizuar dy emrat e ministrave, duke i quajtur vazhdimisht sipas vendit të prejardhjes dhe duke mos u marrë fare me bekraundin e tyre akademik, përvojën e tyre profesionale, ekspertizën në fushat ose sektorët, në të cilat drejtuan, por edhe kredon morale. U paragjykuan shumë, u quajtën ministra “teknikë” e jopolitikë, ndërsa Cakaj vazhdimisht emërtohej si “ministër i Jashtëm në detyrë”. Me gjithë rezervat “mediatike” dhe “analitike” në Tiranë ndaj ministrave “kosovarë”, duhet pranuar se gjesti i Edi Ramës ishte jo vetëm sihariq i mirë i bashkëpunimit mes shqiptarëve, por edhe model që duhet të ndiqet nga politikanët shqiptarë në të gjitha hapësirat etnike.

Por, as Shahini e as Cakaj nuk arritën që ta çojnë deri në fund mandatin e tyre katërvjeçar. Nuk po e analizojmë as performancën e tyre kundrejt bashkëpunimit në arsim ose në diplomaci, edhe pse përpjekje nuk është se nuk ka pasur, madje edhe ndonjë rezultat aty- këtu. Por, të dytë nuk i bënë ballë sfidës deri në fund. Dhanë dorëheqje, por duke lënë gjurmë në histori, se megjithatë bashkëpunimi midis shqiptarëve, pavarësisht gjeografisë së jetesës, është i mundur. “Bashkimi kombëtar nuk është çështje teknike, ndaj angazhimi për të, siç jam angazhuar unë, është angazhim politik. Kurajo që ka treguar kryeministri dhe Partia Socialiste, për të përfshirë aktivistë politikë nga Kosova në qeverisjen në Shqipëri, tregon përkushtimin për një bashkëpunim të thelluar kombëtar shqiptar”, ishin fjalët e Besa Shahinit gjatë dorëheqjes së saj. Ndërsa Cakaj ka vlerësuar se “angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar dhe marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim”.

Arkivi Shqiptar “rrënoi” kufijtë mes shqiptarëve

Arkivi i shtetit shqiptar, një institucion i cili shërben si memorie historike, në mënyrë shumë kurajoze dëshmoi modelin e bashkëpunimit. Ky institucion, i drejtuar nga Ardit Bido, një menaxhues me vizion të qartë profesional dhe kombëtar, e zbaton projektin për shtrirjen e tij në mbarë rajonet ku jetojnë shqiptarët. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë ka hapur Këndin Arkivor tek Leximorja e Çairit në Shkup dhe në mjediset e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, duke u mundësuar studiuesve të interesuar të kenë qasje në mbi 300 milionë dokumente të Arkivit Shqiptar. Një projekt të tillë duhet ndjekur edhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar, meqë – sipas traditës dhe praktikës – më i madhi e bën hapin e parë! Në këtë drejtim nuk mund të thuhet se bashkëpunimi mes institucioneve të shqiptarëve është i nivelit të lartë. Prandaj qeveritë e reja, ajo e Kurtit në Kosovë dhe ajo e reja në Shqipëri, bashkëpunimin midis dy vendeve duhet ta kenë njërin ndër prioritetet kryesore.

Pavarësisht mosdurimeve personale mes politikanësh ose antipative partiake, Kosova dhe Shqipëria, së bashku me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe vendet tjera, duhet të ndërtojnë strategji për zhvillim ekonomik dhe në shumë sfera të tjera. Nuk ka gjë më të natyrshme sesa bashkëpunimi midis pjesëtarëve të një kombi, që kanë interesa të përbashkëta gjeostrategjike dhe gjeopolitike.

Në kohën kur Bashkimi Evropian shfaqet në horizontin global, si një organizëm i brishtë dhe me shumë dallime, shqiptarëve u mbetet opsion gjetja e modaliteteve për bashkëpunim ekonomik, kulturor arsimor, shkencor, sportive e në fusha tjera. Gjithsesi se kjo nuk do të thotë që detyrimisht nevojitet artikulimi politik i konceptit dhe idesë së bashkimit kombëtar, si e kamotshme, pasi – siç po shihet – edhe vetë promotorja e saj, Lëvizja Vetëvendosje, konsideron që “tani nuk është koha”, por askush nuk e ndal bashkëpunimin mes shqiptarëve në rajon. Madje, ky bashkëpunim nga shtetet mike gjithmonë është mbështetur dhe inkurajuar.

Abetarja mbarëkombëtare është projekt që tregon se shqiptarët mund të gjejnë model të përbashkët të unifikimit mes tyre, por e cila nuk ka arritur të futet në sistemin arsimor të Maqedonisë së Veriut. Derisa gjendjen e kemi të këtillë, mbetet që votuesit të mbështesin opsione politike, që kanë ide dhe koncepte të qarta mbi bashkëpunimin ndërshqiptar, të cilat nuk e përdorin këtë temë si parullë mobilizuese për vota, por nga ajo prodhojnë rezultate të prekshme, pasi potenciali i shqiptarëve në rajon është relativisht solid. -www.shenja.tv