Kulturë

Evokim: Dibra humbi profesorin e Shqipërisë Etnike

Shkruan: Ibush Vishi

Sazan Papraniku
Lëvizja ishte instinkti yt më i lartë…
(Evokim…)

Si të të mendoj të shtrirë, mik, kur lëvizja ishte instinkti, motoja, lajtmotivi jetësor dhe shëndeti yt?! Naqeta! – përshëndesje unik, Sazan Papraniku.
Ndaj dhe unë ta ndërmora, më pesëmbëdhjetë gusht të kësaj vere:
– Naqeta, Sazan miku! Të lutem, më thuaj se e ke mundur Covid-in, që të mos merrem me aksiomën se je i pamposhtur! Po si je, o Sazan?
Dhe ma pate kthyer:
– Jemi në minutat shtesë të lojës. Jam mirë, pa probleme serioze deri tash. Edhe nja 4-5 ditë e ia dalim luftës. Naqeta e flm Ibush Kaçaniku.
E të urova e të ftova përzemërsisht:
– Rrofsh e mirë ardhshi në dasmën e Shendit… Je, i grishuri i parë!
Ndërsa m’u përgjigje me simbole emotive… Përmes shqiponjës ma dërgove edhe Flamurin kuqezi, me shtrëngim dore, shoqëruar me kurorë mbretëreshe e lule e me shenjën se ma miratove ftesën:
I dashur mik Sazan Papraniku, ti tashmë je në atë botë, në atë qiell me shumë pararendës tanë atje, patriotë e mëmëdhetarë të rënë e ndërruar jete, siç ishe i devotshëm edhe ti.
Ndërsa ne, ende jemi këndej, ndaj e kam për borxh të ta them se m’u pate gjetur në çastet më dramatike të jetës sime. I qe gjetur edhe fëmjëve të mi! Ishe trim me shokë shumë! Të falem, Sazan i dashur! Sepse, i dashur Sazan, ti ishe zemra e vëllait dhe e njeriut nevojtar, ishe i palodhshëm, ishe i pamposhtur, ballë për ballë valëve të jetës: si çun i mbarë, si student i zjarrtë, si pedagog fisnik, si atdhetar teste, i dorës së parë, si prind besnik e njeri bujar; bash gjithmonë ballë për ballë, ashtu siç e pate nisur që në valën e 1981-tës e tëhu – në zemër të Kosovës, në Prishtinë, zemër nga nuk dole kurrë, deri edhe në shërbim të Ushtrive tona Çlirimtare; si zemre të Iliridës sate e të Shqipërisë sonë; zemër, ku gjete edhe folenë e fundit tani, në atë lagje të madhe të përjetshme, ku lutemi e ku do ta kesh dritë nga vepra jote, si lulëkuqe, si zemra jote kushtrimtare e shpirti yt i dëlirë, në atë valle yjesh, me plisin që s’e hoqe kurrë!
Më se një mijë herë, të falem, Sazan!