Besarta e Bekim Jashari, yjet që shëndrisin mbi lirinë e Kosovës
Më 15 mars të vitit 1998, reporterja amerikane e luftës Marie Colvin, kishte publikuar një artikull me rrëfimin rrëqethës të vajzës 11-vjeçare të Hamzë Jasharit, Besarta Jashari, e cila u kishte shpëtuar sulmeve brutale të forcave serbe ndaj Kullave të Jasharëve në Prekaz, ku u vranë 22 anëtarë të familjes së saj.
Tani 33 vjeçarja, Besarta Jashari, 10 ditë pas sulmit kishte rrëfyer nisjen e sulmeve serbe që ua morën jetën anëtarëve të familjes së saj. Pas përfundimit të bombardimeve, ushtarët serbë kishin hyrë në shtëpinë e Jasharëve për t’u siguruar se i kishin vrarë të gjithë. Besarta ishte shtirur si e vdekur.
Por, njëri nga ushtarët serbë e zbuloi se ajo po shtirej, pasi ia vuri dorën në gjoks, ku edhe ndjeu të rrahurat e zemrës. Pasi ishin siguruar se ajo ishte gjallë, e kishin dërguar në bazën ushtarake serbe, që gjendej përmbi shtëpisë së tyre. Për tri orë radhazi e kishin marrë në pyetje për babanë e saj, Hamzën e xhaxhanë Ademin, për ta hedhur më pas në rrugë.
Artikulli i plotë i reporteres Marie Colvin u publikua në “The Sunday Times” më 15 mars të vitit 1998. Colvin si reportere e luftës ishte vrarë më 2012, në Siri. Përveç Kosovës e Sirisë, ajo kishte raportuar edhe nga vendet tjera që përballeshin me luftë si Çeçenia, Zimbabwe, Libia, Timori Lindor, Sierra Leone e Shri Lanka, ku ajo kishte humbur njërin sy.
Artikulli i mëposhtëm është publikuar i përkthyer në gazetën “Koha Ditore”, më 15 mars të vitit 1998.
Njëmbëdhjetë vjeçarja, Besarta Jashari mban mend kur u ndërpre bombardimi i shtëpisë së saj. Me orë të tëra, zhurmë ishte e padurueshme. Përderisa ishte strukur nën sofrën ku nëna e saj gatuante bukë, tavani u rrënua dhe muret dukej se po eksplodonin. Tani qetësia të shqetësonte. E ngulfatur nga tymi dhe pluhuri, ajo thërriste nënën.
Derisa po hiqej zvarrë nëpër gërmadha, duke qarë, i gjeti motrat e saja, Ninën 10 vjeçe, Fatimen 8 vjeçe dhe Blerinën 7 vjeçe. U mundua t’i zgjonte, derisa kuptoj se ishin të vdekuara, u mbulua me gjak.
Pastaj Besarta i pa vëllezërit e saj, Selvetin 20 vjeçar, Safetin 17 vjeç, Besimin 14 vjeç dhe Blerimin 12 vjeç. Ata gjithmonë dukeshin të fortë. Tani, të gjithë ishin të vdekur. Më në fund, ajo e pa nënën, Feriden, flokët e zeza të ndritshme, dhe zërin e ëmbël të së cilës, Besarta e mbante në zemër – të shtrirë, me gjymtyrë të shpërndara në skaje të ndryshme. Ajo kurrë më nuk do t’i përgjigjej thirrjes ‘nënë’ që ia bënte vajza e saj.
Pushimi i granatimit u tregua të jetë shumë i shkurtër. Besarta do të kalonte natën dhe ditën tjetër, e vetmuar me familjen e saj të vdekur përreth saj, përderisa bombat e serbëve po hidheshin sërish, duke goditur ndërtesën e bardhë, me kulm të kuq, që dikur kishte qenë shtëpia e saj.
Nxënëse e zgjuar dhe e lumtur, Besarta është e vetmja që i ka mbijetuar sulmit, i cili tani nuk mund të quhet asgjë tjetër, pos masakër e paramenduar dhe e kryer me gjakftohtësi.
Shtëpia në Prekaz, fshati me reliev pastoral, të fushave të punuara me kujdes dhe kodrat që lehtë mund të ndërroheshin me ato të Somersetit , ka strehuar 22 anëtarë të familjeve të të dy vëllezërve, Hamzë Jashari, babai i Besartës dhe Adem Jashari, xhaxhai i saj – shqiptarë etnikë në Kosovë.
Vdekjet e tyre nuk ishin aksident i luftës. I bëra bashkë copëzat e tmerrit të javës së kaluar nga dëshmia e Besartës – e cila tani fshihet në një familje në afërsi të Skenderajt, që ajo ua rrëfeu të afërmeve, që ia dolën të ikin nga shtëpitë tjera në Prekaz. I kam parë gropat e zbrazëta në kulmet dhe muret e tri shtëpive të Jasharajve – njëra e gjyshërve të Besartës, dhe nga një për Hamzën dhe Ademin – dhe njollat e errëta të lënë në mur nga të shtënat e automatikut.
Në oborrin me baltë qëndronin shenjat e jetës shtëpiake: një çantë sportive e shqyer e djaloshit të vogël, kartolina nga të afërmit në Gjermani dhe një antenë satelitore, e lakuar nga plumbat. Pjesët e raketave shiheshin të shpërndara në rrënime.
Është pothuajse e sigurt se vëllezërit Jashari kanë qenë të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), forcë militante që doli në pah gjatë nëntorit të kaluar e që i përkushtohet luftës për qëllimet e shqiptarëve etnikë që përbën 90 për qind të popullatës së Kosovës.
Ata humbën durimin me rrjedhën pasive të politikës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lidhja qëndron pas rezistencës pasive përkundër taktikës së dhunshme të Sllobodan Millosheviqit, kryetar nacionalist serb i Jugosllavisë, i cili ka hequr statusin autonom të krahinës dhe i ka përjashtuar shqiptarët nga të gjitha punët shtetërore.
Megjithatë, kjo nuk ishte vrasje e të dyshuarve për terrorizëm e as pusi e personave të rrezikshëm jashtë ligjit. Ishte sulm ushtarak pa paralajmërim mbi shtëpitë e tri familjeve: Mbi burra, gra dhe fëmijë që po flinin në shtretërit e tyre.
Serbët bombarduan pronën e Jasharave deri në çastin kur ata menduan se të gjithë kishin vdekur. Në formacion ushtarak, ata kanë hyrë brenda vetëm për t’u siguruar.
Ndoshta ishin ngopur me vrasje kur e gjetën Besartën. Ndoshta kanë menduar se është tepër e re për t’i akuzuar. Apo, ndoshta nuk kanë mundur ta shikojnë në sy një vajzë të tmerruar dhe ta vrasin. Por, ajo është arsyeja që e vërteta mund të dihet.
Dje, e tëra ajo që lëvizte në pronën e Jasharajve ishin dy lopë dhe disa pula që po çokasnin nëpër gërmadhat. Në anën tjetër të rrugës së pluhurosur që kalon pranë pronës së Jasharajve ishin 51 varre të freskëta, të mbuluara me dhe të zi, mbi të cilat ishin vendosur dërrasat. Këto ishin vendpushimet e fundit të 22 Jasharajve që vdiqën në shtëpi, katër kushërinjve të vrarë në afërsi dhe të fqinjëve që u dolën në rrugë forcave serbe.
Operacioni ndaj Kosovës – përkatësisht sulmi në luginat e Drenicës, rajon i fshatrave me tokë të pëlleshme, që është vatër e rezistencës shqiptare – filloi me 28 shkurt, një ditë pasi që katër policë serbë, u vranë në një pusi, përderisa ndiqnin guerilët e UÇK-së. Serbët së pari sulmuan fshatin Likoshan, duke i vrarë 24 shqiptarë. Pastaj, u bënë gati ta sulmojnë Prekazin, ku Jashart ishin familja kryesore.
Jetish Durmishi, shofer autobusi u paralajmërua për rrezik kur një shok i telefonoi nga shtëpia e tij, në afërsi të stacionit të Policisë në Mitrovicë, duke i thënë se një konvoj autobusësh përplot policë serbë ishin nisur në drejtim të Prekazit.
Durmishi u strehua në mal, duke e lënë familjen e tij prapa, në të kaluarën serbët i kanë vënë në shënjestër vetëm meshkujt. Ai nga mali pa se çfarë ndodhi në pronën e Jasharajve.
“Brenda pak minutash, Policia erdhi dhe fshati u rrethua nga kordoni i serbëve”, tha Durmishi.
“Ata qëndronin pak metra larg njëri-tjetrit përgjatë tërë rrugës e deri në brigje”.
Nga baza serbe u hap zjarri në orën 06:00 të mëngjesit. Nuk pati paralajmërim. Të parët që u vranë ishin Agajt, anëtarët e familjes rome, të cilët i kaploi paniku dhe u munduan ta braktisin shtëpinë. Nëna, djali i vogël dhe vajza u ekzekutuan në kopshtin e tyre. Viktima e ardhshme ishte Nazmi Jasharaj, pronar i një kiosku në Prekaz, që shiste cigare dhe gjësende të tjera, e që jetonte në anën tjetër të pronës së familjes kryesore.
Ai u mundua ta bartë nënën e moshuar, Nailen, nga dera e prapme dhe është vrarë para syve të saj. Sinjali ishte i qartë. Çdokush që vërehej duke lëshuar shtëpinë, do të goditej nga snajperistët serbë.
Jasharajt nuk kishin shpëtim. Ata po të dilnin jashtë, përballeshin me të shtëna. Po të rrinin brenda, bombardoheshin. Gjëja e fundit që mban mend Besarta sa i përket familjes së saj, ishte se xhaxhai i saj, Ademi, derisa bombardimi vazhdonte, këndonte këngë popullore shqiptare për t’i inkurajuar të tjerët. Ai shpeshherë këndonte në dasma lokale. Familja e gjerë Jasharaj u mblodh në dhomën për të cilën menduan se është më e sigurt, mirëpo, granatat hidheshin në kulm, pastaj në mure.
Besarta mban mend çastin kur xhaxhai i saj pushoi së kënduari. Pastaj, 26 orë më vonë, i kujtohet asaj vetëm zhurmë e bombave. Ajo tha se para se policia serbe të hyjë në shtëpi, ata marshuan nëpër të, duke hapur zjarr nga automatikët. Ata hidhnin granata në secilën dhomë që e kishin përpara.
“Dëgjova të vinin në dhomë tonën”, i tha ajo xhaxhait të saj Hilmiut. “U mundova të bëhesha kinse kisha vdekur, por njëri prej ushtarëve ma vuri dorën në gjoks dhe e ndjeu se isha gjallë”.
Ende e veshur me bluzën e saj të kuqe dhe pantallonat e zinj, tashmë të mbuluara me gjak, ajo u detyrua të shkel mbi trupat e anëtarëve të familjes së saj që të lëshoj dhomën të rrethuar me serbë. U dërgua në bazën ushtarake përmbi shtëpinë e saj dhe u mor në pyetje për tri orë.
“Ata më pyetën për babën dhe xhaxhin Adem”, tha ajo. “Asgjë nuk i tregova, asgjë”. Serbët e hodhën në një rrugë të Mitrovicës dhe ajo vrapoi në shtëpinë e një shoqeje të klasës. Ajo mbrëmë ende ishte atje, e traumatizuar, e tronditur dhe e kishte vështirë të flas. Besarta nuk e dinte se kufoma e nënës, babait, axhës, hallës dhe kushërinjve të saj ishin rreshtuar nga Policia në një depo materiali ndërtimor në Skenderaj.
Kur askush prej familjes nuk erdhi t’i identifikojë ata dhe miqtë insistuan që atyre tu bëhet ekzaminimi postmortor, serbët i hodhën ata në varret që i kishin hapur përballë mbeturinave të shtëpisë së tyre, në arkivolet gjysmë të zbuluara.
Fshatarët që mbijetuan u kthyen gjatë natës që punën ta kryenin me nder. E tëra që mbeti nga familja e Besartës ishte një grumbull qesesh të zeza, në deponë e materialit ndërtimor, çdonjëra me një numër të ngjitur në qese, çdonjëra e mbushur me rroba të përgjakura, të cilat i patën të veshura kur vdiqën.