Rajon - Botë

Tensione të mëdha në Mal të Zi, SHBA bën thirrje për qetësi

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për “përshkallëzimin e retorikës” në Mal të Zi në prag të ceremonisë së marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

SHBA-ja u bëri thirrje gjitha palëve që të punojnë për të qetësuar tensionet.

“Ne inkurajojmë autoritetet malazeze dhe Mitropolinë e Kishës Ortodokse Serbe që të bashkëpunojnë ngushtë dhe mbi të gjitha të garantojnë sigurinë e qytetarëve”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Kisha Ortodokse Serbe ka njoftuar se marrja e detyrës nga ana e Joanikijes do të bëhet më 5 shtator në Cetinje. Aty pritet të marrin pjesë patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije dhe priftërinj të tjerë të lartë.

Mirëpo kjo ceremoni kundërshtohet nga Komuna e Cetinjës, disa organizata malazeze dhe Partia Demokratike e Socialistëve e udhëhequr nga presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Një protestë u mbajt më 22 gusht ku u kërkua që ceremonia e kurorëzimit të Joanikijes në Cetinje të konsiderohet si një “akt pushtues”.

Departamenti i Shtetit vlerëson gjithashtu se Mali i Zi është i “njohur për një kohë të gjatë si një vend i tolerant” dhe se të gjithë “qytetarët duhet të kryejnë pjesën e tyre të obligimeve për të respektuar këtë traditë krenare”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve, qytetarëve, udhëheqësve politikë dhe fetarë, të punojnë në qetësimin e tensioneve”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin lirinë fetare, duke përfshirë të drejtën e individëve për të praktikuar fenë e tyre lirshëm. Në të njëjtën kohë, ajo gjithashtu mbështet lirinë e shprehjes, përfshirë të drejtën për tubim paqësor”, shtoi ai.