Maqedoni

Taravari: BDI po digjet nga koalicioni ynë me VMRO-në! BDI: Ky koalicion nuk i bind as anëtarët e tyre, lere më votuesit

Derisa po pritet finalizimi i koalicionit ASH-AAA dhe VMRO-DPMNE për zgjedhjet lokale, Sekretari Gjeneral i ASH-së Arben Taravari ka thumbuar partinë kundërshtare BDI-në. Në kolumnën e tij Taravari shkroi se nga ky koalicion i mundshëm partia e Ahmetit është e shqetësuar dhe se po digjet fare.

“Duket se kjo hipotezë imja, ky “ndoshta” bashkëpunim me VMRO-në ka vënë flakën tek shumë parti, e ajo që po digjet fare është BDI-ja. Aktivizoi menjëherë portalet e saj duke sajuar lloj lloj titujsh akuzues e padyshim qesharak sepse kësaj partie nëse po i dridhej toka në këmbë, tani po i shembet fare”, ka shkruar Arben Taravari – Sekretar Gjeneral i Aleancës për Shqiptarët.

Por integristët duken të relaksuar, pasi siç theksojnë të gjitha sondazhet i nxjerrin fitues në zgjedhje. Nga BDI për TV21 thonë se e inkurajojnë këtë koalicion, pasi siç shtojnë e nxjerr në sipërfaqe dyfytyrësinë dhe mashtrimin 4 vjeçar të “viktimës” dhe “dhunuesit”.

“Te gjitha sondazhet vendore e ndërkombëtare konfirmojnë BDI-në si fituese të zgjedhjeve.

Koalicioni i sindromit të Stokholmit për mbijetesë tremujore në skenën politike nuk i bind dot as anëtarët e tyre, lere më votuesit. BDI e inkurajon këtë koalicion sepse e nxjerr në sipërfaqe dyfytyrësinë dhe mashtrimin 4 vjeçar të “viktimës” dhe “dhunuesit”, thonë nga BDI për TV21.

Ndryshe koalicioni i mundshëm u paralajmërua nga të dy partitë por pa dhënë detaje. Sipas Taravarit gjithçka mund të finalizohet javën që po vjen. Më herët Zaev dhe Ahmeti zyrtarizuan bashkëpunimin për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor.