Maqedoni

Shkollat pa kushte për konceptin e ri, tabletët dhe televizorët realitet i largët

Shkollat fillore po përmbyllin përgatitjet e fundit për fillimin e vitit të ri shkollor 2021-22. Drejori i shkollës fillore “Sami Frashëri” të fshatit Gllumovë të komunës së Sarajit, Hysni Mustafa ka mirëpritur vendimin që mësimi do të nisë me prezencë fizike. Por, shprehet i shqetësuar për zbatimin e konceptit të ri në arsim, që këtë vit të ri shkollor, për herë të parë do të nisë të zbatohet për klasën e parë dhe të katërt.

Konkretisht, smart tabelat që kërkohen ne si shkollë nuk e posedojmë asnjë prej tyre. Poashtu kemi vështirësi për klasat e katërta, për tabletët që duhen, edhe aty kemi vështirësi. Unë nuk e di se si do të rrjedhin punët por ne mundohemi në bashkëpunim edhe me prindërit që diçka të mund të sigurojmë. Një numër të vogël kemi siguruar edhe nga Ministria e Arsimit, ja sot unë mora disa tabletë por ato nuk mjaftojnë, nuk janë as për 30-35% të numrit të nxënësve, ato janë për rastet sociale – deklaroi Hysni Mustafa, drejtor i Sh.f “Sami Frashëri” Gllumovë – Saraj.

Përveç tabelave smart, programet e reja mësimore tashmë të publikuara nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit kërkojnë mjete dhe pajisje të ndryshme për realizimin e orës mësimore për klasën e parë dhe të katërt, si: kompjuterë, tabletë ose laptopë për nxënësit, televizorë, enciklopedi për fëmijë, forma 2D dhe 3D, lodra, e shumë të tjera. Pavarësisht këtyre kërkesave, në shkollën fillore të Gllumovës paraqitet edhe nevoja për hapësirë shtesë për mësim.

Vështirësi kemi mjaft edhe në aspektin hapësinor ne si shkollë. Tash kemi 492, që do të thotë te ne rritet numri i nxënësve, fatmirësisht, kështu që krijohet nevoja për hapësira tjera. Ne edhe ashtu nuk kemi pas hapësira por detyrohemi që të kombinojmë numrin e nxënësve në klasa. Do të fillojmë njëherë ashtu, por do të shohim pastaj të organizohemi, gjatë punës do të shohim se ku i kemi mungesat, ku i kemi vështirësitë – deklaroi Hysni Mustafa, drejtor i Sh.f “Sami Frashëri” Gllumovë – Saraj.

Gjithashtu, Mustafa tha se mësimdhënësit që do të jenë pjesë e konceptit të ri mësimor kanë kaluar të gjitha trajnimet e duhura. Por, siç shtoi ai, mbetet të shihet nëse në shkollat me kushte mesatare koncepti i ri mësimor do të gjejë zbatimin.ALSAT