Dje janë vaksinuar 16.955 persona në Maqedoni
Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë ditës së djeshme, është hasur rritje e konsiderueshme e interesit të qytetarëve për vaksinim.
“Dje janë vaksinuar gjithsej 16.955 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 11.925 qytetarë.
Janë aplikuar gjithsej 1.115.988 doza të vaksinave ndërsa 491.169 qytetarë janë rivaksinuar”, thonë nga MSH.
Nga atje thonë se vaksinimi po zhvillohet pandërprerë në të gjitha pikat në vend, ndërsa në vijim është edhe vaksinimi në terren.
“68% e popullsisë mbi 70 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. 66% e popullsisë mbi moshën 65 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. 62% e popullsisë mbi moshën 60 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. 53% e popullsisë mbi 50 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës”, njoftojnë nga Ministria.
Nga atje shtojnë se vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe janë mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë. Vetëm vaksinimi i plotë parandalon formën e rëndë të sëmundjes dhe zvogëlon mundësinë për infektim dhe vdekshmërinë shkaktuar nga sëmundja.