Lajmet e rejaSport

“Mbappe mund të bëhet trashëgimtari im, nuk po bëj shaka” – Pele me vlerësim të lartë për francezin

Kylian Mbappe tashmë ka arritur më shumë në karrierën e tij të shkurtër se sa shumica gjatë gjithë jetës, dhe Pele ka pranuar se ylli francez mund të bëhet trashëgimtari i tij.

Paraqitja e fundit e tij në Camp Nou ishte mjaft e bujshme pasi ai shënoi një hat-trick, dhe me kontratën e tij në Paris Saint-Germain që do të skadojë në qershor të vitit 2022, e ardhmja e tij mund të vendoset nga një garë e ashpër mes gjigantëve evropianë.

“Mbappe mund të bëhet trashëgimtari im dhe unë nuk jam duke bërë shaka”, ka thënë Pele për Sportweek.

“Unë mund të shoh shumë nga vetja në aftësinë e tij për të luajtur me shpejtësi. Ai është një sulmues që mendon shpejt”.

“Kur topin e pranon, ai tashmë di çfarë të bëjë, ai tashmë ka në mendjen e tij se ku të shkojë dhe si ta drejtojë lojën për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Këto janë karakteristika të rëndësishme në futbollin e sotëm”.

Kjo nuk është hera e parë që Pele flet me dashuri për Mbappen, me brazilianin që vlerëson inteligjencën dhe ritmin e të riut në Prill 2019.

“Mbappe është inteligjent, i shpejtë dhe i paparashikueshëm. Shumë lojtarë janë teknikisht të mirë, por ai luan në mënyrë të paparashikueshme.

“Ai meriton të fitojë Topin e Artë”, ka shtuar më tej legjenda e futbollit.