Mesazh për Kurban Bajramin, 2021: Te i Madhi Zot arrinë vetëm përkushtimi i të devotshmit
Me të vërtetë, Ne të kemi dhënë ty shumë të mira, andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! (El Keuther, 1-2)
Nga Afrim Tahiri
Besimtarë të dashur,
Myslimanët, anekënd botës, kanë shumë ngjarje për të përkujtuar e për t’i shënuar, për t’u krenuar e për t’u mburr me ato, por, i kanë vetëm dy festa: Fitër Bjramin dhe Kurban Bajramin. E para është madhërim, falënderim, përulje me bindje para Allahut Fuqiplotë dhe, e dyta, sakrifikim në emër të Allahut Mëshirëplotë!
Akti i flijimit na kthen te gjeneza e njerëzimit, te djemtë e Ademit a.s., na kthem te pesha e premtimit që i bëhet Allahut të Madhërishëm, te Ibrahimi a.s.; ky akt njerëzor, besimtarë të dashur, na e pasqyron Mëshirën dhe Mirësinë e pakufishme të Allahut xh.sh., duke u bindur se, të gjitha veprimet tona vetëm në emër të Allahut xh.sh., ndjehen, na pranohen dhe, sakaq ne i ndjejmë mirësitë e Zotit tonë.
A ka gjë më të shenjtë se të sakrifikojmë në emër të të Plotëfuqishmit, pastaj, a ka gjë më të mirë se, ta shprehim dashurinë tonë, bujarinë tonë, humanitetin tonë, virtyte këto me të cilët e gëzojmë Krijuesin tonë por që, gëzohemi edhe vetë. Çdo vepër e mirë na e shton gëzimin, ndjehemi më ndryshe, më të lumtur, më të hareshëm, në mesin tonë djejmë harmoni më të madhe, ndjejmë dashuri dhe, e gjithë kjo shton paqen ndër ne. Zatën, ky është misioni i vetëm i njeriut! Me veprat e veta bujare ta shtojë kënaqësinë e Allahut xh.sh. dhe, njëkohësisht, të jetë në shërbim të paqes, mirësisë, dashurisë dhe të mirëqenies së njeriut.
Motra e vëllezër, besimtarë të dashur!
Edhe këtë Festë të shenjtë, duhet ta festojmë në kushte e rrethana të tjera, të cilat, duhet t’i kemi parasysh dhe të sillemi konform rregullave e protokoleve të parashtruara për situata të tilla si kjo e pandemisë së koronavirusit, e cila, tash e dy vjet na ka pamundësuar festimin dhe shijimin tradicional të festave tona fetare. Festë për ne duhet të kuptohet edhe veprimi ynë human e bujar, ndaj skamnorëve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, duke ua mundësuar atyre që me mishin e kurbanit tonë, ta kenë edhe ata sofrën plotë, të ndjehen të lumtur, ta shijojnë këtë festë me të gjitha të mirat e Zotit, të cilat, nuk janë vetëm për ne por edhe për ata që janë në nevojë. Ne jemi mëkëmbës të Zotit në këtë botë dhe duhet të sillemi me mirësi e me dashuri, ashtu siç sillet Zoti me ne! Mëshira e Tij, Mirësia e Tij, Bereqeti i Tij, është për mbarë njerëzimin.
Edhe sivjet, shumë zemra ndjehen të prekur që nuk ia arritën të jenë mysafirë në vendet e shenjta islame, në Meke e Medinë! Janë derdhur shumë lotë nga pamundësia për të qenë mysafirë të këtyre viseve të shenjta, miliona myslimanë në botë janë lutur që të tejkalohet sa më parë kjo situatë me qëllim që, nijetlinjtë për Haxh të sivjemë, të jenë mysafirë të Allahut të Mëshirshëm.
Të mos harrojmë, motra e vëllezër se, “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj”(El Haxhxh, 37). Pra, tek Ai arrinë vetëm nijeti i të devotshmit!
Uroj dhe lutem me shpirt që deri në frymën tonë të fundit të jemi prej atyreve që janë me devotshmëri të paluhatur!
Paqa, begatitë, mirësitë e të Madhit Zot, qofshin me ne! Dashuria, harmonia, humaniteti e mirëqenia mbisundofshin gjithkund në botë! Bota shqiptare, edhe më ngeltë shembull i njerëzimit se si festohen dhe madhërohen ngjarjet dhe festat fetare, duke ia shtuar madhështinë bashkëjetesës sonë fetare.
Motra e vëllezër –
Gëzuar për shumë mote Kurban Bajramin!
(Autori është drejtues i Lëvizjs Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)