KulturëLajmet e reja

Prof. dr. Abdullah Zymberi – qëmtues i pashoq i shqipes burimore

Ilir Shaqiri, sjell një rrëfim tepër mbresëlënës për profesorin e tij, studiuesin më të përkushtuar dhe më të spikatur të leksikografisë dhe dialektologjisë së gjuhës shqipe, Abdullah Zymberi, i cili është ndarë nga jeta para 3 vitesh, por neve na ka lënë një pasuri të paçmueshme gjuhësore, një Fjalor me rreth 20000 fjalë, të cilat ende nuk mund t’i gjejmë në Fjalorin e gjuhës shqipe të hartuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.

Çdo fjalë që sillnim ne nga katundet tona, atij i ndriste njëfarë rrezatimi i purpurt në fytyrë. Mbeteshim gjatë duke diskutuar për to, sepse ai kërkonte krahasimet, logjikën dhe figurshmërinë e stërholluar nga populli. Saktësia ishte virtyti i tij i pacenuar.
Shkolla, thoshte ai: nuk mbaron asnjëherë. Shpesh na e përsëriste thënien e bukur “Lum kush plaket duke mësuar”.
Atje në viset e thella malore jeton ende fjala e pashkruar e gjuhës sonë të bukur. Deri aty ku ka arritur asfalti nuk gjejmë gjë, duhet të futemi më thellë, thoshte profesor Abdullahu.
Të kërkoj në valëvitje t’lashtash, në vringëllima shpatash, në themele kështjellash, në gojë brezash, në trungje lisash e në zdrale plisash; të kërkoj e ku s’të kërkoj fjala ime e tokës sime, recitonte profesori.
Merruni me të rëndësishmet dhe shqelmoni të parëndësishmet, ishte porosia që na e përsëriste shpesh.

Portreti prindëror i një profesori

Të takoheshe me profesor Abdullahun, të uleshe me të, qoftë edhe për një kafe, të dukej vetja, sikur edhe ti po bëheshe kalorës mbi krahët e bardhë të një kali të harlisur, që të shpinte në thellësi shekujsh, gjithandej cepeve të atdheut, të pandarë. Të dukej se po dëgjoje zëra të para dymijë vjetëve, një shqipe të kulluar e të latuar, shpërlarë në rrasën e mermertë petrografike të një kroi që nuk shteron kurrë. Ai nuk fliste për përditshmërinë e zakontë, sepse ishte i pazakontë në përkushtimin e tij ndaj gjuhës shqipe, ndaj leksikut të pambledhur të saj, ndaj fjalëve të rralla të saj, të cilat po na ikin përditë bashkë me brezat.

Prej vitesh, qysh nga fillimi i vitit shkollor 1974, e në vazhdim, e njoh të tillë: qëmtues të pashoq i shqipes burimore dhe profesor me ndjesi prindërore ndaj nxënësve dhe studentëve.

Kur ai hyri në klasën tonë (I/5, farmaci, Prizren), në shtatorin e shtatëdhjetekatërtës, të gjithë ne nxënësit e tij, krijuam ndjesinë e përbashkët se po futeshim nën hijen e një pedagogu, nga ku nuk mund të dilnim të paditur. E mahnitshme për ne ishte e folura e tij standarde, tek na shpjegonte rregullat e shkollës, duke përfunduar me fjalët: njëherazi, unë do të jem kujdestari i klasës suaj për katër vjet rresht. Na ngriti në këmbë të gjithëve me radhë, duke na pyetur se nga vinim dhe ç’gjendje familjare kishim. Kur filluan emrat me I, para meje ishte Ilmiu, Ilmi Pulaj dhe për çudi ishim ulur bashkë në një bankë, e që nuk do të ndaheshim përgjatë katër vjetëve. Profesori u ngrit në këmbë, erdhi pranë nesh, duke e shikuar Ilmiun nga koka deri te këpucët e vjetra, të mbathurat e vëllait të tij, të cilat ia kishte huazuar për ditën e parë të shkollës. Ilmiu përfundoi prezantimin. Po ti?, më pyeti profesori, pa e lexuar radhitjen e emrave në ditar. Sikur ta dinte se unë renditesha pas Ilmiut, me numër 15. Edhe unë vetë i teti jam, i thashë. Ai buzëqeshi ndjeshëm…, na duhen shumë fëmijë dhe shumë dije, tha. Bëri të niset drejt ulëses së vet, sakaq u kthye, duke më pyetur: ia more, apo ta dha xhaketën vëllai i madh? Klasa qeshi, përveç Ilmiut që shihte te unë veten e tij, sepse xhaketa ime mund të na përthekonte të dyve bashkë. Nuk kam vëlla të madh, i thashë. Profesori u ul në karrigen e tij, klasa pushoi së qeshuri. Vazhdo, ku mbete?, tha profesori. Dje, duke ardhur nga Buroja deri te stacioni i trenit në Klinë më përcolli xhaxhai im, Tani. Ai ecte shpejt, duke mbajtur frerin përdore, ndërsa unë qëndroja hipur në kalin e tij të bardhë. Nga mesi i rrugës na zuri shiu dhe bënte ftohët. Xhaxhai zbërtheu xhaketën e tij dhe ma hodhi krahëve. Për pak sa nuk na iku treni kur arritëm në stacion. Hoqa xhaketën t’ia kthej xhaxhait, por ai nuk deshi: laje, thaje e baje, më tha. Treni u nis dhe unë mbeta në dritare, duke shikuar dihamën e trupit mbi këmishën e bardhë të xhaxhait tek po kthehej në katund, ashtu, hipur kalit, nëpër shi. Xhaketën ma fali! Nuk kishte çfarë të më jepte tjetër, sepse edhe ai ka një prush fëmijë. Heshtje në klasë…, derisa profesori m’u drejtua përsëri:

Katundin tënd e njoh cep më cep. Në fëmijërinë time kam kaluar shpesh andej, duke bartur me qerre kuajsh perimet e kopshtit tonë buzë Drinit, për t’i shitur atje në Skënderaj. Shpesh na zinte nata andej, por kurrë nuk jemi lënë jashtë. Edhe sot e kësaj dite profesor, atjehja nuk ka ndryshuar. Si, si?, u ngrit në këmbë duke ardhur drejt meje. Edhe sot është sikur ka qenë përpara, iu përgjigja. Jo…, jo, si ka qenë përpara, thuaje ashtu siç e the pak më parë? Atje…hja, iu përgjigja me ndrojtje. E çka është atjehja? Atje…, vendlindja ime, që nuk e lë mysafirin jashtë. E këtu…, si thuhet për këtu?, më pyeti. Këtuhja…, nuk e di, nuk e njoh ende këtuhën, profesor. E di ti se kujt i thonë gllajz?, më pyeti. Janë vijat, gjurmët që i lë saji apo qerrja, në borë ose në baltë. Po, njëjësi i gllajzve si është? Rrudha krahët, përderisa ai ma vuri dorën në supe, duke më dhënë për detyrë, që, kur të kthehem në vendlindje ta mësoj njëjësin e gllajzve.

Në fillim të muajt tetor shkova në Burojë, për një natë, sa për të marrë pak para për ushqimet njëmujore dhe për ta paguar banesën, ku banonim bashkë me Ilmiun. Banesa nuk bënte shtrenjtë, sepse nuk ishte një banesë normale, ishte dyqan i sapondërtuar me xhama nga tavani deri në dysheme, ku sa herë frynte erë as jorgani nuk na e priste të ftohtit. Njëjësin e gllajzve ia solla profesorit. Ai u gëzua shumë! Gjatë pushimit dimëror do të vij nja dy-tri net andej, më tha. Detyra jote është të m’i mbledhësh pleqtë më të vjetër të katundit në një odë e të kuvendoj me ta? Mirë se vjen profesor, i thashë!

Dimri po vjen më i ashpër se vitet e tjera parashikojnë meteorologët, e ju duhet ta keni ngrohtë në banesat tuaja të marra me qira. A i keni siguruar drutë?, na pyeti. Nuk ka në shitje profesor, u përgjigj Ilmiu, sepse ende nuk i kanë du:n nga malet. Si the, si the…? Ne themi me du:n dru, tha Ilmiu. Siç duket sivjet do të jetë vështirë për dru, sepse hyqymeti i ka zënë pritat në të gjitha anët e s’po lan me pre, shpjegoi Ilmiu.

Dhjetori i shtatëdhjetekatërtës erdhi me borë shumë në Prizren, deri n’shokë diku-diku. Bashkë me Ilmiun përpiqeshim t’i mbyllnim hapësirat e dritareve të banesës nga hynte i ftohti që t’thante. Stufa në mes të dhomës ndizej rrallë dhe atë me ndonjë koperinë libri ose fletë gazetash të përditshme. Xhamat e banesës ishin bërë piktura të akullta. Përtej dritareve nuk shiheshin më njerëzit duke ecur në trotuar, por vetëm hijet e tyre të mjegullta. Njëra nga këto hije ndaloi para derës sonë dhe trokiti. Unë dhe Ilmiu shikuam njëri-tjetrin. Cili nga ne do të ngrihej nga shtrati, ku ishim strukur nga të ftohtit, që ta hapë derën? Dera u hap dhe aty u shfaq profesori Abdullah i veshur me një pallto të murrme deri fund të gjunjëve, i mbështjellë me një shall të leshtë rreth kreje, ashtu siç mbështilleshin malësorët kur zbrisnin dimrit në qytet. Shikimi i profesorit përshkoi banesën tonë të varfër: dy shtretër, një stufë dhe shumë libra. Pasi na pa mirë-e-mirë u afrua pranë stufës, duke e prekur atë me gishtin tregues. U duk sikur ia përvëloi gishtin stufa e akullt. A nuk dini me ndez zjarr, a?, na pyeti. Unë dhe Ilmiu ulëm kokën. Ku i keni drutë?, ishte pyetja e dytë e profesorit. Ne, nuk kishim dru e as para për t’i blerë ato. A keni ngrënë gjë?, na pyeti. Po, profesor, u përgjigjëm të dy si me një zë, kemi ngrënë nga dy byrekë me gjizë. Nga dy…?, buzëqeshi profesori. U soll një copë herë nëpër dhomë, pastaj nxori nga xhepi disa bankënota letre (dinarë), duke na i lënë ato mbi tavolinë e duke na thënë: nesër hani diçka me lugë, sepse luga i bënë mirë barkut në dimër. Profesori iku, ndërsa unë dhe Ilmiu numëronim paratë që na i la, me të cilat mund të ushqeheshim një javë (groshë me mish), ndërsa llogaria tjetër na dilte të ushqehemi dy javë, por, pa mish. Derisa unë dhe Ilmiu vendosëm për variantin e dytë, para dritareve të banesës sonë të akullt, u shfaqen dy hije gomarësh të ngarkuar. Hapëm derën dhe pamë dy maltarë tek zbërthenin litarët e ngarkesës. Ishin drutë që na i kishte blerë profesor Abdullahu.

Nuk shkoi shumë dhe profesor Abdullahu u bë për herë të parë baba, dhe atë me djalë e vajzë (Arbër dhe Arbërore), binjakë. Ai na qerasi me pije dhe ëmbëlsira të gjithëve sa ishim në klasë. Të nesërmen kishte shkuar në banesën e tij prindi i njërit nga shokët tonë të klasës. E kishte uruar për binjakët dhe duke u ngritur për t’u përshëndetur, në tavolinën e profesorit kishte lënë një grusht para (më shumë seç lanë njerëzit zakonisht në raste të këtilla). Ora e parë e së hënës do të niste me profesorin e gjuhës shqipe. Ai hyri në klasë, ngarkuar me një krah libra. I lëshoi ato mbi tavolinë dhe thirri emrin e shokut tonë të klasës. Thënë të drejtën, shokut tonë kaçurrel e pak ezmer, nuk po i ecte mirë lënda e profesorit, por edhe lëndët e tjera, ashtu, me paterica. Në grumbullin e librave mbi tavolinën e profesorit arritëm të shohim titujt: “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, nga Eqrem Çabej; “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, etj, etj. Babai yt ka qenë dje në shtëpinë time dhe më ka lënë aq para sa për të blerë këto libra, për ty. Merri dhe nxehe karrigen, nëse do notë kaluese nga unë?, i tha profesori.

Eqrem Çabej për profesorin ishte frymëzuesi, frytdhënësi dhe më meritori në fushën e gjuhësisë, ndaj edhe fëmijën e tretë që i lindi vite më vonë e pagëzoi me emrin Çabej.

Pranvera e shtatëdhjetepestës bleroi qytetin e bukur të Prizrenit. Sheshi i Shatërvanit gumëzhinte nga njerëzit që shëtisnin në korzo, ndërsa ne nxënësit e Abdullahut, këtë shëtitje mund ta shijonim vetëm në vitin e katërt të shkollimit, domethënë tek në pranverën e shtatëdhjetetetës. Si ma trimi prej nesh, shoku ynë i klasës Sylë Kukaj, ishte ndodhur mbrëmë në sheshin e Shatërvanit, duke besuar se deri aty nuk mund të mbërrijë syri i profesorit. Mëngjesin e ditës së re profesori ynë hyri në klasë, duke hedhur shikimin e tij qortues mbi bacin tonë, siç e quanim ne djemtë e klasës Sylën. Daja Sylë, thirri profesori: ku ishe mbrëmë në orën 20 e 53 minuta? Syla u ngrit në këmbë, uli kokën dhe pas pak u përgjigj: isha n’kafe me e pi kafe, profesor. N’kafe…, me pi kafe…?, u çudit profesori. Po ti Lushe, ku ishe mbrëmë në këtë orë? Isha me Sylën, u përgjigj Lushja. Ku? pyeti profesori. N’kafe. Edhe ti n’kafe…, bashkë me dajën Sylë? Kec, kec, për të dy…, uluni. Pasi i shënoi dy njësha në ditar, profesori u ngrit në këmbë duke na pyetur të gjithëve me radhë: Ju, ku shkoni për të pirë kafe? Përgjigjja e të gjithëve ishte: n’kafe. Kec, kec, kec, të gjithëve keca për sot. Mbylli ditarin dhe u nis drejt derës dalëse, duke na thënë: Si ka mundësi t’ju zërë të gjithëve filxhani i kafesë? Të nesërmen ishim përgatitur që t’i përmirësojmë kecat. Profesori hyri në klasë, përderisa ne u ngritëm në këmbë me një përshëndetje të pazakontë: Shkojmë në kafene për të pirë kafe! Buzëqeshi profesori, duke na urdhëruar të ulemi. Kecat i keni të përmirësuar, por, në kafene e në korzo do të shkojmë tek në fundvitin e katërt të shkollimit tuaj. Daja Sylë, ngrihu në këmbë dhe shko shkurto flokët te floktari matanë rrugës, ne po të presim, tha profesori. Pas tridhjetë minutash Syla hyri në klasë tullë fare, i kishte hequr flokët me brisk rroje. Plasi e qeshura në klasë e cila nuk pushonte, ndërsa Sylës një çehre i vinte një çehre i shkonte. Djemtë në këmbë, urdhëroi profesori. Shkoni e i thoni floktarit: flokët nuk na duhen për shkollë.

Si çdo mëngjes të gjithë nxënësit rreshtoheshim para se të hynim në ambientet tona mësimore. Sot e para/pesë ndriçonte shumë më shumë sesa paralelet e tjera nga kokat e rruara të djemve. E tërë shkolla qeshi me ne. Na emërtuan “Klasa e qelave”.

Mbaroi viti i parë i shkollës dhe unë nuk u ktheva në Burojë. Bashkë me Ilmiun udhëtuam drejt Sllovenisë, në qytetin Celje, aty ku na prisnin dajallarët e tij që punonin në ndërtimtari. Punuam dy muaj e njëzetë ditë. Bëmë muskuj dhe para. Nuk do të ishte më e nevojshme që profesor Abdullahu të na i blinte drutë për dimër, por edhe groshën kurrë më nuk do ta hanim pa mish.

4 shtator, 1975, dita e parë e vitit të dytë të shkollës. Profesori Abdullah hyri në klasën tonë dhe nuk u ul në karrigen e tij pa u përshëndetur dorë-me-dorë me ne të gjithë. Pak më shumë ndaloi te banka jonë ku qëndronim bashkë me Ilmiun. Shikimi i tij përshkonte këpucët e reja të Ilmiut, që nuk ishin më të la Fadilit dhe xhaketën time që nuk ishte më e xhaxhait tim, Tanit. Atë ditë ishim veshë bukur. Na pyeti të gjithëve me radhë se ku dhe si i kishim kaluar pushimet verore, por unë dhe Ilmiu kishim vendosur që të mos tregonim para shokëve e shoqeve të klasës se gjatë verës kishim punuar punë fizike në Slloveni. Profesori e hetoi këtë gjë dhe na ndaloi që të bisedojmë pas përfundimit të orëve mësimore. Kemi shtyrë beton deri në katin e dytë dhe të tretë, i tha Ilmiu. Dajallarët e Ilmiut na kanë ndihmuar dhe na kanë mbajtur shumë mirë, i thashë unë. Pse nuk treguat sa ishim bashkë me nxënësit tjerë në klasë? Profesor, ka shumë prej tyre që dhamarashkën kur përmendet puna fizike, tha Ilmiu. Dhamarashkën, çka do të thotë kjo?, pyeti profesori. Kur, pas plugut arashkat zbardhojnë nëpër lavër. Derisa profesori po e shënonte këtë fjalë në skedat e tij, nata po ulej në Prizren. U përshëndetëm me profesorin dhe u nisëm për në banesën e re, shumë më të mirë nga ajo që e kishim vitin e kaluar.

Unë dhe Ilmiu tashmë ishim njësuar me dashurinë e profesorit për leksikun e paharruar të shqipes. Çdo fjalë që sillnim ne nga katundet tona, atij i ndriste njëfarë rrezatimi i purpurt në fytyrë. Mbeteshim gjatë duke diskutuar për to, sepse ai kërkonte krahasimet, logjikën dhe figurshmërinë e stërholluar nga populli. Saktësia ishte virtyti i tij i pacenuar.

Katër vjet mësimnxënie në Shkollën e Mjekësisë, na përgatiten jo vetëm si teknikë të mirë në degën e farmacisë, por edhe si njerëz me përmbajtje e ambicie të shëndosha.

Ora e fundit e vitit të katërt në shkollën e mesme, do të ishte tepër e rëndësishme për ne nxënësit e Abdullahut, jo për të na i komunikuar rezultatet e mira mësimore, por, për të na i dhënë drejtimet e duhura në mësimnxëniet tona të ardhshme. Kush do të vazhdojë për farmaci?, na pyeti. Shumë nga nxënësit ngritën dorën lart, ata të cilët kishin mundësi të studionin në: Sarajevë, Zagreb, Lubjanë dhe Beograd. Po ju të dy? ishte pyetja e profesorit për mua dhe Ilmiun. Ne…, duhet të gjejmë punë profesor, thamë si me një zë. Duhet t’u krijojmë mundësi edhe vëllezërve e motrave që vijnë pas nesh, që edhe ata ta bëjnë një copë shkollë. Ju do të studioni për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, na tha. Një kopje të dokumentacionit ua mbaj unë dhe do të interesohem për regjistrimin tuaj.

Mbaruam studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, por profesori kërkonte më shumë. Shkolla, thoshte ai: nuk mbaron asnjëherë. Shpesh na e përsëriste thënien e bukur “Lum kush plaket duke mësuar”.

Fundi i viteve të tetëdhjeta e në vazhdim, rëndoi pamatshëm kurrizin e Kosovës. Pushtuesi me tërë ashpërsinë e vet po këpuste çdo fije shprese për jetesën e shqiptarëve në trojet e veta. Ikje nga atdheu, rrahje, burgosje, plagosje e vrasje për të gjithë. Unë kisha marrë përsipër artikulimin përmes artit muzikor të ndjenjave dhe dëshirave të popullit tonë për liri e dinjitet kombëtar, dhe kjo e gëzonte shumë profesor Abdullahun. Pas çdo kënge të re që publikoja, më thërriste në telefon e më uronte: po mburrem me ty, thoshte, posaçërisht në përzgjedhjen e teksteve dhe diksionin e pastër të shqiptimit të fjalëve. Kam pasur nga kush të mësoj, i thosha unë.

Ato kohë edhe më vonë Akademia e Shkencave e Serbisë ishte bërë krah i djathtë i pushtetit vrastar në Kosovë. Ajo (Akademia e Shkencave e Serbisë) trumbetonte me të madhe, duke mohuar autoktoninë tonë shqiptare në territorin ballkanik. Shqiptarët si ardhacakë që janë, thoshin ata, nuk kanë leksik bujqësor dhe blegtoral, baza këto ku mbështeten gjuhët e lashta të popujve. Kjo ishte ajo që e kishte tronditur profesorin dhe nuk e zinte vendi-vend pa bërë diçka. Bëje gati makinën, më tha, nesër do të nisemi për në Mal të Zi. Atje në viset e thella malore jeton ende fjala e pashkruar e gjuhës sonë të bukur. Si janë rrugët andej?, e pyeta. Deri aty ku ka arritur asfalti nuk gjejmë gjë, duhet të futemi më thellë, më tha.

Profesori i njihte mirë katundet: Martnaj, Vuthaj, Kodër e Budanit, Kojë e Kuçit, Ljare, Ftjan, Gështenjë, Matriq, Muriqan, Brajshë e Millë, prej nga kishte vjelë fjalë të rralla të këtyre viseve, duke i botuar ato në një fjalorth pak vite më parë. Pasi vizituam Krojet e Ali Pashës në Vuthaj, trokitëm në derën e kullës së Hysen Sylës 74-vjeçar. Ai doli i mbërthyer me kollare, i veshur solemnisht sikur të ishte bërë gati për ndonjë dasmë. U ngjitëm në katin e dytë të kullës, në odën ku priste miq. Profesori dhe Hyseni u ulën në minderin përballë meje, ndërsa në fund të odës, në ngrehinën gjysmëmetërshe (aty ku tradicionalisht janë kënduar këngët e kapuçave) qëndronte ulur gruaja e Hysenit, pranë një djepi të mbuluar me një mbulesë të kuqe, qëndisur me lule të bardha. Kureshtja ime ishte përqendruar te plaka e shtëpisë, përderisa Hyseni e profesori bisedonin për fjalët e moçme të katundit. Ajo (gruaja e Hysenit), mbante kokën nga djepi i mbuluar dhe pëshpëriste një nanurisje që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë: e…, nana t’pastë…, shnosh e mi:r ty mrapa t’lashtë. Kur dolëm nga kulla e Hysenit për t’u nisur për në Krajë, i thashë profesorit: e gjeta temën studimore që më mungonte.., “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë e nënës”. Bukur, tha profesori: nëna është krijesa më e bukur nga të gjitha qeniet mbi tokë.

Kur arritëm në katundin Muriqan, profesori po më shpjegonte për shqipen e harruar të këtij katundi. Të gjithë flasin serbisht, më tha, përveç një plake e cila edhe shkronjën (ç), atë që veriorët nuk e shqiptojnë si duhet, ajo e tjerr bukur, sikur të ishte rritur në Korçë. Dyert e oborrit të plakës kishin qenë të hapura dhe ne u futëm brenda. Ajo (plaka) qëndronte në ballkonin e shtëpisë duke qëndisur diçka. Dolëm nga makina dhe u afruam poshtë ballkonit. Ajo na përshëndeti me një mirëdita të ftohtë, assesi me fjalën e zakonshme të shqipes, mirë se erdhët. Sakaq në oborr u futën tre djemtë e saj, të cilët kishin ngarkuar një qerre me sanë të kositur. Kush ju tha të hyni në oborr?, ngriti zërin njëri prej tyre, në serbisht. Dera e oborrit ishte e hapur, u tha profesori, në shqip. Nuk keni çfarë kërkoni ju këtu, jashtë, na urdhëruan në gjuhën e tyre të preferuar. Erdha ta shoh nënën tuaj, jo juve, u tha profesori. M’i ke përkrahue fjalët Abdullah, tha nëna e djemve të inatosur. Kush ta lejoi ty të flasësh në atë gjuhë?, i bërtiti njëri nga bijtë e saj. Ajo u tërhoq nga kangjellat e ndryshkura të ballkonit të shtëpisë, ndërsa ne dolëm në rrugë për të vazhduar drejt katundit Gështenjë. E pe çfarë po na bëjnë sllavët?, më pyeti profesori dhe vazhdoi, duan ta çrrënjosin identitetin tonë themelor, gjuhën tonë të bukur shqipe. Kaluam një copë udhë ashtu në heshtje…, pastaj profesori më pyeti: Si e tha plaka atë fjalën nga ballkoni? Ishte akuzë, profesor. Po, po, akuzë ishte, por fjala na duhet. Ajo tha m’i ke përkrahue fjalët. Përkrahue…?, sa bukur, tha profesori. Edhe pse nuk na priten si duhet, prapëseprapë diçka na dhanë, buzëqeshi ai. E di ti se Fjalori i Shqipes ka pak fjalë të ngjitura me për?, më pyeti. Edhe ne në Burojë e kemi fjalën me përkrahue, në kuptimin, kur bartim nga njëra anë në tjetrën një krah dru, apo rrema drurësh. I kam përkrahue rremat e druve (i kam veçuar në njërën anë). Kemi edhe përanash, p.sh. i kam ra përanash, ose, mos i bjer përanash, thuaje troç. Pastaj kemi fjalët: me u përmal, me u nëpërmal, me u përfushë e me u nëpërfushë. Oh sa bukur!, ofshani profesori. Fjalorit Shqip i mungojnë tepër këto ndërtime. Me nëpër, më sa di unë, tha profesori, ka vetëm 7-8 fjalë të shënuara. Ka kohë që nuk ke qenë në Burojë, profesor, duhet të vish? Po, duhet të vij, patjetër do të vij, atje kam gjetur fjalën me u përtokë, u përtokë aeroplani (ateroi), pse vëlla ateroi kur e kemi fjalën tonë, thoshte profesori? Të ta them edhe një fjalë me nëpër?, e pyeta. Thuaje, çka po pret?, ma ktheu. Me u nëpërtokë. Para se fëmija të ec, nëpërtokët. Bukur, ashtu pra, nëpërtokët, jo zhagitet, lumturohej profesori.

Të kërkoj në valëvitje t’lashtash, në vringëllima shpatash, në themele kështjellash, në gojë brezash, në trungje lisash e në zdrale plisash; të kërkoj e ku s’të kërkoj fjala ime e tokës sime, recitonte profesori; të këndoj e ku s’të këndoj, shtova unë. Hë pra…, kur do t’i këndosh këto vargje?, më pyeti. Sapo i ka muzikuar Naim Gjoshi dhe ia ka besuar Shpëtim Saraçit orkestrimin. Në Tiranë?, më pyeti. Po, në Librazhd e në Tiranë, iu përgjigja. More djalë, shumë po rrezikon duke e kaluar kufirin ilegalisht, ma përsëriti atë që ma kishte thënë disa herë. Jeta ime nuk është më shumë e rrezikuar se jetët e të gjithë shqiptarëve këndej kufirit, i thashë. Vetëm dija dhe forca mund t’i shembin këta kufij të hekurt ndërmjet shqiptarëve, tha profesori tek po e shtrinte karrigen për t’u kotur pak.

Më 24 gusht, 2013, e prisja të më vinte në dasmën e birit tim Gojartit. Ilmiu erdhi me bashkëshorten e tij dhe zuri tavolinë ku duhet të ishte edhe profesori Abdullah. Dy herë e pyeta Ilmiun për vonesën e profesorit, por nuk më tha gjë. Profesori mungon sonte. Duke u përshëndetur me Ilmiun në fund të dasmës më tha: profesori mbrëmë ka pësuar një atak cerebral, nuk desha ta them në fillim të mbrëmjes. Të nesërmen e vizituam bashkë me Ilmiun, dhe shqetësimi i tij, tepër i madh ishte, më shumë se për shëndetin, për botimin e Fjalorit për të cilin kishte punuar 40 vjet me ngulm. Si duket po më lënë gjymtyrët, na tha…, e Fjalori nuk do ta shohë dritën kurrë. Nuk ka kush të m’i hedhë fjalët në kompjuter ashtu siç dua unë, përsëriste ai. Më ke mua profesor, ndërhyri Ilmiu…, forcohu pak dhe fillojmë menjëherë nga puna. Atij i shkrepi një dritë në fytyrë, buzëqeshi pak, pastaj iu dridh mjekra dhe na u duk se u përmallua fort. Nuk jemi më ata çunat me këpucë të vjetra e me xhaketa të falme. Na ke rritur profesor, këtu na ke, i thamë.

Romanin “Tan Temali” ta kam lexuar dhe jam i bindur se një ditë ai do ta zërë vendin e merituar në letërsinë shqipe, tha profesori dhe vazhdoi, ketë do ta them pas disa ditësh në konferencën studimore që organizon “Instituti Albanologjik” në Prishtinë, nëse me bëjnë këmbët deri atje. Mos më lavdëro fort profesor, i thashë me buzëqeshje. Nuk kam arritur që t’i them të gjitha ndjesitë e mia për Tanin, xhaxhain tim të mirë. Ai, që për katër vjet sa isha në Shkollën e Farmacisë në Prizren, asnjëherë nuk përtoi të më përcillte hipur mbi kalë deri te stacioni i trenit në Klinë; ai që ma fali xhaketën në vitin e parë të shkollës. E pastaj?, pyeti profesori. Pastaj erdhi lufta dhe ai u vra nga serbët. Tani, Isa…, kush tjetër nga Shaqirët u vra në luftë?, pyeti profesori. Edhe Islami edhe Bajrami, iu përgjigja. Islami…, e more Islam, solli ndërmend profesori. Islami më pat treguar se kujt i thonë vonak (sugar), qengjit të fundit i kopesë që thith gjinjtë e mëmës, por edhe fjalët menezi e menezezë për xhelozët dhe xhelozet. Të njëjtat fjalë i patëm gjetur edhe në Krajë, a të kujtohet? më pyeti profesori. Gjithandej ka menezi e menezeza, ndërhyri Ilmiu sa për ta shmangur pak mallëngjimin e profesorit nga kujtimet e largëta. Lërini ju, mos u merrni me ta, menezinjtë e menezezat edhe çlirimin e Kosovës nuk e kanë dashur, por ja që atdheu ynë përditë e më shumë po bëhet më i ditur e më i bukur. Merruni me të rëndësishmet dhe shqelmoni të parëndësishmet, ishte porosia që na e përsëriste shpesh.

Interesimi i profesorit Abdullah ndaj nesh nuk u zbeh kurrë, ashtu siç nuk u zbeh asnjëherë dashuria jonë për të qenë pranë profesorit, duke kontribuar me modestitë tona në punën e tij kërkimore – shkencore. Përkushtimi i Ilmiut mbeti i patundur deri në finalizimin dhe botimin e “Fjalor Popullor – me rreth 20000 fjalë”, ashtu siç deshi profesori.

Mesnatën e 5/6 shtatorit, 2017, ai mbylli sytë përgjithmonë, për të udhëtuar në botën e pasosur me ëndrrën e tij të realizuar.

Ashtu siç maja e një mali shfaqet befas nga mjegullat e kohëve, portreti i profesor Abdullahut do të shfaqet e rishfaqet në sytë dhe gojët e brezave duke kuvenduar me gjuhën e popullit, me fjalët që ai i mblodhi e na i la trashëgim.