Rrënohet pjesa e mbetur e ndërtesës së shembur pranë Majamit
Pjesa e mbetur e një ndërtese të shembur, afër Majamit në SHBA, u shkatërrua me eksplozivë, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Një pjesë e ndërtesës 12-katëshe është shembur më 24 qershor.
Njëzetekatër njerëz janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 121 mbeten të zhdukur.
Struktura e mbetur, në të cilën nuk ka pasur trupa, u shkatërrua, në mënyrë që kërkimet të vazhdojnë në mënyrë të sigurt.
Zona pritet të goditet nga stuhia Elsa më 6 ose 7 korrik.
Kryetarja e qarkut Majami Dejd, Daniella Levine Cava, u tha gazetarëve se kërkimet do të vazhdojnë pas shembjes, por theksoi se kanë kaluar 11 ditë që nga incidenti.
Hetuesit nuk kanë përcaktuar ende se çfarë e ka shkaktuar shembjen e godinës 40-vjeçare në qytetin Sërfsajd.
Por, një inspektim i vitit 2018 ka gjetur “defekte” në dizajnin origjinal, të cilat tani janë në fokus të hetimeve.