Merkel: Vazhdon përkrahja gjermane për vendet e ballkanit perëndimor
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ia kushtoi mesazhin e fundjavës Konferenës së saj të fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor, e cila do të zhvillohet nesër në mënyrë virtuale. Ajo ka deklaruar se edhe pse takimi do të bëhet vetëm me video, është e gëzuar që do të mund të vijojë bashkëpunimin me kryetarët e shteteve dhe qeverive nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.
Merkel kujtoi më tej fillimet e Procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania në vitin 2014: “Si atëherë, ashtu edhe sot qëllimi është të japë ndihmesa sa më konkrete për qëndrueshmërinë e rajonit dhe për dialogun paqësor mes të gjitha palëve”, vijoi më tej politikania kristiandemokrate.
Kancelarja Gjermane rikujtoi përgjegjësinë e BE-së dhe të Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor.
ANGELA MERKEL, KANCELARE GJERMANE
“Ballkani Perëndimor është një pjesë e Evropës, ku nuk janë shëruar ende plagët e luftërave të viteve 90-të, e dhunës ndër grupet etnike. Por: Në Gjermani jetojnë edhe shumë shtetas, që i kanë rrënjët e tyre në vendet e Ballkanit. Për mua është mëse e qartë: Ne, shtetet anëtare të BE-së, jemi shumë të interesuara për një zhvillim paqësor dhe të mirë të Ballkanit Perëndimor. Dhe ne kemi një përgjegjësi që të angazhohemi faktikisht për këtë”.
Merkel më tej veçoi disa nga arritjet e Procesit të Berlinit, Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, i cili bën bashkë të rinj nga etni, gjuhë dhe fe të ndryshme, por edhe në arsimin profesional, në njohjen reciproke të diplomave të shkollave të larta dhe në bashkëpunimin e shkencës”, si edhe „përparimet në projektet e transportit dhe infrastrukturës, të cilat ndërlidhin rajonin”.
Kancelarja deklaroi se të gjitha këto janë hapa të rëndësishme për të arritur në një komunikim të vazhdueshëm përtej kufijve, i cili ndihmon që të pakësohen rezervat dhe mosbesimi. Sipassaj, kjo qasje i sjell këto vende të gjitha së bashku në synimin e tyre për të plotësuar kushtet për anëtarësim në BE. /SHENJA/