Maqedoni

Fajon: Jam e zhgënjyer nga egoizmi i Bullgarisë

Unë jam shumë e zhgënjyer me sjelljen e Bullgarisë, egoizmi i tyre është jashtëzakonisht i gabuar dhe i papërgjegjshëm. Shpresoj se do të jemi në gjendje të bindim Bullgarinë se cilat janë rreziqet dhe të gjejmë një kompromis dhe marrëveshje, sepse nuk mund të rrezikojmë të ardhmen e një vendi fqinj për hir të interesit kombëtar ose për pikë politike në mjedis kombëtar, ajo që po ndodh sot” thotë Tanja Fajon, eurodeputete nga Sllovenia dhe një mbështetëse e fortë e perspektivave evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Para nesh është një kohë e rëndësishme, nuk ka humbur gjithçka, nuk dëshiroj të jem pesimiste, unë jam realiste, por duhet të shkojmë përpara, pasi një gjë për mua është e qartë – Ballkani Perëndimor gjithmonë ka qenë pjesë e Evropës. E ndajmë kontinentin dhe sfidat globale. I duhemi njëri-tjetrit, që bashkërisht të luftojmë dhe ta ruajmë të fuqishëm dhe të bashkuar kontinentin”, thotë Fajon në intervistën për “360 Shkallë” në margjinat e Konferencës së Parë ndërkombëtare “Forumi i Prespës për dialog” në Ohër, duke e komentuar kontestin e ri me Bullgarinë.

Fajon shprehë kënaqësinë që Sllovenia e vendosi Ballkanin Perëndimor midis prioriteteve të kryesimit të saj gjashtëmujor me BE-në.

“E mbështes agjendën ambicioze, që mund të jetë rezultati më i mirë i mundur dhe shpresoj se me ndihmën e të gjithë partnerëve evropianë do t’ia dalim t’i fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe ta realizojmë atë që e kemi premtuar para tre vitesh – liberalizimin e vizave për Kosovën. Disi, sërish të lidhet biznesi, ekonomika, kontaktet midis njerëzve, të kthehet besimi, jo vetëm brenda rajonit, por edhe në institucionet edhe në BE. Dëshiroj t’i shoh miqtë e Ballkanit Perëndimor si pjesë e diskutimit për të ardhmen e Evropës. Ne po tentojmë ta arrijmë këtë në Bruksel, në Parlamentin Evropian. Debati me shoqërinë qytetare, me qytetarë është në vijim dhe është turp të shihet se Ballkani Perëndimor nuk është përfshirë. Kjo është mundësi vërtetë të dëshmojmë se të gjithë jemi pjesë e këtij kontinenti dhe duhet të diskutojmë së bashku për të ardhmen tonë”, thotë eurodeputetja Tanja Fajon.