Taravari: Qeveria të vë në funksion projektin “Mirë se vjen bebe”

Sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në konferencën e sotme për shtyp tha se koalicioni ASH-AAA kërkon që të ri-vendoset në funksionim sistemi “Mirë se vjen bebe”, transmeton Alsat. Nga ky koalicion pyesin Ministrinë e Shëndetësisë se pse u ndërpre ky projekt.

“6-7 muaj pasi dolëm nga qeveria, ky projekt fatkeqësisht u ndalua. Arsyet nuk dihen. Kemi informata se shumica e prindërve, pasi u lind fëmija tash, sepse nëpër zyra të ndryshme të policisë dhe institucioneve tjera për 2-3 javë mezi sigurojnë certifikatat e lindjes për fëmijët e tyre”, tha mes tjerash Taravari.

Ndryshe, projekti “Mirë se vjen bebe” u miratua në qershor të vitit 2017, kohë kur dikasteri i shëndetësisë drejtohej nga Aleanca për Shqiptarët. Me këtë projekt mundësohej që prindërit brenda 48 orëve të marrin certifikatën e lindjes për fëmijën e lindur, direkt nga spitali.