Kryeministri Mickoski u takua me kryetarin e KE, Antonio Kosta: Maqedonia të mos jetë peng i kontesteve bilaterale!
Kryeministri Mickoski u takua me kryetarin e KE, Evropian Antonio Kosta.
Kryeministri Hristijan Mickoski sot në Mynih u takua me kryetarin e Komisionit Evropian Antonio Kosta.
Në takim u diskutua për integrimin evropian, për përpjekjet dhe lëshimet që janë bërë në këtë drejtim, si dhe për nevojën që përfundimisht të hapen dyert për BE-në.
Mickoski theksoi se vendi meriton të ecë përpara dhe në fund të mos mbetet peng i mosmarrëveshjeve dhe pengesave bilaterale, siç ka pasur shumë në të kaluarën, njoftuan nga Qeveria, transmeton Lideri.mk.
“Në këtë drejtim, Maqedonia ka bërë shumë dhe Bashkimi Evropian duhet të tregojë gatishmërinë e tij për ta vlerësuar atë në mënyrën e duhur, e kjo është me dinamizimin e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian”, theksoi Mickoski.
Ai theksoi se Qeveria është e përkushtuar fuqishëm në reformat në drejtësi, dhënien e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar, gjë që kërkon mbështetjen dhe mobilizimin e të gjithë aktorëve shoqërorë.
Mickoski theksoi se qëllimi parësor është lufta për standardin e jetesës së qytetarëve dhe një jetë më të mirë, e cila do të arrihet përmes inovacionit, investimeve dhe edukimit të fortë.
Takimi po mbahet në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku mblidhen liderë politikë nga e gjithë bota dhe ku do të diskutohen sfidat e rëndësishme evropiane dhe globale. Fjalë në Konferencë do të mbajë edhe kryeministri maqedonas./Lideri.mk