Banorët e Gazës për herë të parë pas 471 ditësh u zgjuan në mëngjes pa bombardime
Pas marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Tel Avivit dhe Hamasit, banorët e Gazës kaluan një natë pa ndonjë sulm nga ushtria izraelite dhe u zgjuan pa zhurmën e bombardimeve për herë të parë që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.
Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi dje në orën 11:15 të mëngjesit me orën lokale.
Me hyrjen në fuqi të armëpushimit, në Rripin e Gazës ndaluan sulmet që ushtria izraelite i ka vazhduar prej 471 ditësh. Për herë të parë në më shumë se 15 muaj, banorët e Gazës mundën të kalonin një natë pa zhurmën e bombardimeve dhe shpërthimeve.
Palestinezët në Gaza të cilët kanë luftuar për të mbijetuar nën zhurmën e sulmeve dhe bombardimeve për 471 ditë, u zgjuan mëngjesin e sotëm pa dëgjuar asnjë shpërthim.
– “Fëmijët e Gazës fjetën pa frikë dhe bombardime”
Palestinezët që jetojnë në Gaza kanë bërë postime në llogaritë tyre të medias sociale lidhur me natën e tyre të parë pa sulme izraelite.
Yusuf Hamada, qytetari nga Gaza në llogarinë tij në median sociale është shprehur se “Nata e parë që fëmijët e Gazës fjetën pa frikë apo bombardime. Falënderimet i takojnë Zotit”.
– Përfundoi pritja e dhimbshme para morgjeve
Për shkak të sulmeve të Izraelit, në Gaza kanë humbur jetën 46.913 palestinezë duke përfshirë rreth 17.841 fëmijë dhe 12.298 gra.
Palestinezët që humbën jetën në këto sulme silleshin në spitalet lokale nga të afërmit e tyre ose ekipet e mbrojtjes civile edhe për t’u regjistruar edhe për t‘u varrosur.
Palestinezët që humbën jetën mbaheshin në morgjet e spitaleve përpara varrimit. Mijëra njerëz në Gaza vajtuan të dashurit e tyre përpara këtyre morgjeve që nga fillimi i sulmeve të Izraelit më 7 tetor.
Me ndërprerjen e sulmeve izraelite, për herë të parë që nga 7 tetori palestinezët nuk humbën njerëzit e tyre të dashur dhe nuk u desh të prisnin në morgjet e spitaleve.
Gazetari Abu Bakr Abid në llogarinë e tij në rrjetet sociale ndau pamjet që regjistroi përpara morgut të spitalit Aksa në qendër të Gazës.
Abid tha se morgu i spitalit Aksa ishte i mbyllur dhe shtoi se “Kjo është hera e parë që morgu i këtij spitali është mbyllur me kyç që nga 7 tetori. Jam në lot. Nuk ka humbje jetësh, nuk ka mjerim, nuk ka kufoma dhe nuk ka më gjak të spërkatur në tokë. Tashmë nuk ka skena të tilla të tmerrshme”.