Fetai: Statusi zyrtar i gjuhës shqipe, i fituar me sakrificë dhe gjak, është degraduar nga DUI
Zëvëndëskryeministri, Arben Fetai, ka reaguar së fundmi ndaj akuzave të BDI-së që gjuha shqipe po sulmohet e dëmtohet.
Sipas Fetait statusi i gjuhës shqipe është degraduar nga BDI të cilët kanë bërë kompromise të vazhdueshme.
“Statusi zyrtar i gjuhës shqipe, i fituar me sakrificë dhe gjak, është degraduar nga DUI përmes lëshimeve të dëmshme dhe kompromiseve të njëpasnjëshme. Këto veprime e kanë releguar shqipen në një gjuhë lokale, të përdorur sipas dëshirës së zyrtarëve shtetërorë. Kjo dëshmohet më së miri nga neni 3 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ky nen, që rregullon komunikimin zyrtar, jo vetëm që e etablon primatin e maqedonishtes, por edhe e kufizon shqipen në një gjuhë lokale. Për më tepër, neni 3 lejon komunikim zyrtar ekskluzivisht në maqedonisht nëse udhëheqësi i institucionit ose zëvendësi i tij nuk janë shqiptarë. Pra, ky nen jo vetëm që vendos përdorim parcial të shqipes në rrafshin gjeografik, por ai madje e përjashton plotësisht shqipen aty ku nuk ka udhëheqës shqiptar”, ka shkruar zëvëndëskryeministri, Arben Fetai.
Ai tutje ka shtuar që BDI kanë bërë pazar në kurriz të shqiptatëve me çka janë vendosur në rolin e shërbëtorëve.
“Kjo është fytyra e vërtetë e DUI-t: në pushtet, shërbëtorë të bindur të partive maqedonase që bëjnë pazare në kurriz të shqiptarëve; në opozitë, patriotë sezonal. Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se edhe “patriotizmi” i tyre opozitar nuk është gjë tjetër veçse një defokusim nga krimi dhe korrupsioni që është u ka dal në shesh. Sot, të gjithë e dinë se halli i vetëm i DUI-t është frika nga drejtësisa”, ka përfunduar Fetai.