Maqedoni

LSDM: Çmimet po rriten, ndërsa standardi i qytetarëve po përkeqësohet

Çmimet e produkteve në markete vazhdojnë të rriten dhe qytetarët përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi në jetën e përditshme, vlerëson LSDM-ja. Sipas opozitës, pavarësisht rritjes së numrit të produkteve që janë pjesë e të ashtuquajturve “Shporta e Vitit të Ri”, tregtarët tashmë kanë rritur çmimet e këtyre produkteve, çka i bën këto masa joefektive.

“Politikat e qeverisë me ‘shporta’ kanë dështuar dhe nuk kanë asnjë ndikim. Mashtrimi me shportat konsumatore është i dukshëm për të gjithë qytetarët që e shohin çdo ditë në marketet, ku çmimet e produkteve janë vazhdimisht në rritje. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë rritje të inflacionit prej 4.3% në muajin nëntor, si dhe rritje të çmimeve me pakicë me 3.5%. Çmimet e larta dhe inflacioni ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetet e familjes. Qytetarët kanë gjithnjë e më pak para, gjë që çon në varfëri gjithnjë e më të madhe”, shtoi opozita duke akuzuar qeverinë për politika të këqija.

“Politikat e këqija të Mickoskit ndikojnë në varfërinë e popullit. Qeveria në vend të gënjeshtrave dhe manipulimeve të fillojë të punojë në mbrojtjen e standardeve të qytetarëve dhe të pranojë propozimet e qëndrueshme të LSDM-së për uljen e çmimeve dhe rritjen e pagave”, shtuan nga LSDM.