BallinaMaqedoni

BDI e konsideron si betejë të fituar vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi që të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për Gjuhët, ndërkaq kërkoi të ketë seancë për debat me ekspertë dhe parti politike. Ademi thotë se Fronti Europian do të jetë vigjilen dhe do të vazhdojë betejën deri në hedhjen poshtë të 13 nismave që dëmtojnë përdorimin e gjuhës shqipe në RMV.

“Një betejë e fituar, por rreziku ende ekziston! Agonia vazhdon! Gjykata Kushtetuese sot vetëm prolongoi vendimin e saj me të cilin deshti ta sakatoj shqipen, ta zhvlerësoj tërësisht. Deshtën 18 dispozita t’i abrogojnë. 75 faqe referat kishin përgatitur për të na i mohuar gjuhën. Ende politika aktuale e kësaj Qeverie pa legjitimitet etnik nuk është tërhequr nga tendenca e saj. Do të jemi vigjilent. Do ta vazhdojmë betejën deri në hedhjen poshtë të 13 iniciativave tendencioze kundër shqipes zyrtare. Gjykata Kushtetuese nuk ka argumente profesionale. Ka vetëm argumentin e votës dhe mbivotimit. Por, kauza e drejtë ka triumfuar gjithmonë!”, ka shkruar Ademi.