Kulturë

Artistja që kurrë nuk ia ktheu shpinën Preshevës

Intervistoi: PhD. Dashnim HEBIBI /

Intervistë me znj. Afeida Boriçi-Memeti, aktore dhe regjisore që jeton e vepron në Preshevë

Mjafton të përmendet emri Afeida dhe i madh e i vogël e njohin, jo vetëm në Preshevë, sepse zonja Boriçi Mehmeti është rritur në skenë. Vjen nga një familje e njohur me prejardhje nga Shkodra. Babai i saj, tashmë i ndjerë, z. Agron Boriçi, ka shkrirë jetën për kulturë. Sado që të bësh një hyrje për punën e madhe që e ka dhënë dhe që po e jep Afeida në jetën kulturore në Preshevë, është pak, sepse ajo kurrë nuk e harroi Preshevën. Nuk u largua nga Presheva për asnjë post, i qëndroi besnike Preshevës dhe për të ka dhënë shumë. E respektuar tej mase nga të gjithë.

E zhvilluam një intervistë, kësaj here për një ngjarje të madhe që do të mbahet në Preshevë dhe padyshim se një barrë të madhe e ka Afeida. Partitë vijnë e shkojnë, Afeida, edhepse me plot kuptimin e fjalës ka dhënë shumë për kulturën shqiptare në Preshevë, nuk ka vrapuar për të veshur petkun e të parit, por ka qëndruar aty ku ndjehet më mirë dhe për aty ku është profesioniste. Gjatë intervistës na kujtoi edhe disa fjalë që i ka thënë në një intervistë që e kemi pasur me z. Agron Boriçi, emblema e artit në Luginë të Preshevës, i cili nuk është në mesin tonë fizikisht, por ai jeton në shpirtin tonë deri në përjetësi. Ku ka më mirë se me fjalët e z. Boriçi të fillojmë intervistën, ku edhe vajza e tij, shqiponja e artit, i përmendi.

Përshëndetje zonja Boriçi-Memeti! Ju falenderoj për kohën që po ndani për këtë intervistë! E di se jeni shumë e ngarkuar me punë në përgatitje për 30 vjetorin e themelimit të Festivalit-Ditët e Komedisë Shqipare që do të mbahet në Presheve nga data 09 dhjetor 2024. Si po ju shkon puna e organizimit?

Përshëndetje edhe për ju, stafin tuaj dhe të gjithë lexuesit kudo që lexohet kjo platformë mediale. Ju përgëzoj për punën që e ke bërë dhe që po e bënë në shërbim të kombit edhe atë në shumë drejtime. Çdo edicion i ka veçantitë dhe veçoritë e veta, por ky edicion është pak më special sepse shënon edhe 30 vjetorin e themelimit të Festivalit të Komedisë e që, jo pa qëllim, është titulluar “Ditët e Komedisë Shqiptare”. Një festival që dikur ishte vatër e kulturës e që hapi dyert për shumë teatro anembanë Shqipërisë.

Çka do të thotë për ju dhe Preshevën ky organizim i madh mbarë shqiptar?

Festë. Dihet që festat janë kënaqësi për çdo familje, çdo qytet, çdo komunitet.
Kjo festë teatrore, e sidomos kur është specifike vetëm me shfaqe komedi, është më se e dëshiruar për publikun artdashës të Preshevës. Por, kësaj here, Presheva do jetë vatër e kulturës për 5 ditë, gjatë së cilave do bëjë bashkë në një festë 5 teatro nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke na përfshirë, sigurisht, edhe ne, si nikoqirë.

Pra, do të jenë 5 ditë festë teatrore në Preshevë. Kush ju ka ndihmuar që ta organizoni?

Festivali organizohet, si çdo herë, nga pushteti lokal dhe mjetet vetanake të Shtëpisë se Kulturës.

Sipas asj që kemi mësuar, do të jenë 5 teatro me 5 komedi të mrekullueshme. Na njoftoni më hollësisht se nga cilat qytete do të jenë ato?

Festivalin do ta shpallë të hapur Teatri ‘Bylis’ nga Fieri. Pastaj vjen Teatri ‘Muharrem Qena’ nga Mitrovica. Në natën e tretë e kemi Teatrin e Qytetit të Tetovës, pastaj jemi ne, si nikoqirë pra, Teatri i Qytetit Preshevë dhe në natën e fundit do të jetë Teatri AAB ‘Faruk Begolli’ nga Prishtina, kur dhe do të ndahen çmimet nga juria tre antarëshe e festivalit.

Jeni kryesuese e Teatrit të Preshevës. A do të keni edhe ju ndonjë shfaqje?

Po, në këtë edicion jubilar prezantohemi me Komedinë ‘Një dorëzim…’ nga autori Gregori Mcdonagh, në regjinë time. Këtu luajnë aktorët e Teatrit të Qytetit.

Do të ketë, sigurisht, çmime. Shpresoni se një çmim do të mbetet në Preshevë?

Po, çmime do të ketë, si në çdo edicion. Kjo është e mira e këtij festivali. Jemi shumë në dilemë nëse do të duheshim të futeshim në konkurrencë në këtë edicion. Kurse, sa i përket çmimeve, gati çdo edicion jemi vlerësuar me çmime nga juria profesioniste e festivalit. Kemi punuar e punojmë vazhdimisht me shumë sinqeritet me të gjitha mundësitë që kemi dhe sinqerisht, kemi një staf shumë të mirë. Do të shohim.

Edhe para disa viteve, sidomos në vitet e vështira në Kosovë, Presheva ka qenë nikoqire e teatrove mbarëkombëtare. Në atë kohë ishte i madhi, i jashtëzakonshmi, Agron Boriçi, ai që i ka dhënë emër Preshevës në fushën e artit dhe ka bërë, shkurt e shqip, teatrin e qytetit. E keni menduar të ndani ndonjë çmim me emrin e mjeshtrit të madh të teatrit, Agron Boriçi?

Faleminderit shumë nga ana juaj sepse edhe intervistën që e bëri babi me juve para shumë viteve për neve është një kujtim dhe një amanet i çmuar. Shumë shpesh i kthehem dhe e rilexoj, sepse ajo intervistë është shkollë në vete sa i përket artit skenik.

Vitin që ndërroi jetë Agron Boriçi, u mbajt festivali dhe iu kushtua i tëri babit, nga ana e Drejtorit Naser Nuredini. Atë vit ndau një çmim postmortum dhe në shenjë respekti për kontributin e tij 40 vjeçar në artin skenik dhe si bashkëthemelues i Festivalit të Komedisë, stafi organizativ, në krye me drejtorin z. Nuredini, vendosën që Çmimi ‘Regjia më e Mirë’ të emërohet pikërisht “Agron Boriçi”.

Këto 10 vite, dhjetë regjisorë, të cilët janë shpërblyer me çmimin ‘regjia më e mirë’ në Festivalin e Komedisë në Preshevë, e kanë emrin e babit në sirtarin e tyre të trofeve. Njëra ndër ta jam edhe unë e që, normalisht, është çmimi më i dashur për mua. Shumë vjet e kam ëndërruar ta kem këtë çmim, pikërisht me emrin e Agron Boriçit. Këtë çmim ia dedikoj babit tim për vajzën, gruan dhe regjisoren që jam sot.

Si është gjendja e kulturës në Preshevë?

Kultura lypë shpirt, lypë zemër, lypë angazhim të madh, por lypë edhe kushte. Sikur të ketë më shumë buxhet teatri, sigurisht se do ketë më shumë shfaqje e me shumë premiera.

Nuk duhet të kënaqemi me një ose dy premiera në vit. Por, si teatër i ri që jemi dhe akoma nuk është se jemi staf i kompletuar, jemi duke ia dalë shumë mirë. Me shpresë qe një ditë të zgjerohet stafi artistik me aktorë dhe aktore të reja, si dhe me staf teknik profesionist që japin kontributin e tyre në realizimet artistike e kulturore në vend.

Megjithkëtë, shfaqje ka çdo vit. Ka dhe festival, ka repriza për publikun preshevar, si dhe pjesëmarrje nëpër shumë festivale anembanë trojeve shqiptare e deri në Bursa të Turqisë.

Është përzier arti me politikën edhe në Preshevë, apo nuk e lejoni?

Kësaj pyetjeje po i përgjigjem me një dialog që për ty është i njohur:

“E sheh veten në politikë?

Arti është shprehje, nuk është lojë. Unë mendoj se teatri është opozitë konstruktive ndaj dukurive negative në shoqëri dhe kështu unë e kam bërë politikën time, sepse mendoj se artistëve dhe njerëzve të kulturës nuk u takon politika aktive. Kjo do të ishte humbje e dyfishtë.”
Agron Boriçi

Intervistë me ju, e realizuar para disa viteve. (E kujtoj me shumë mall edhe unë si intervistues që e patëm zhvilluar në Solothurn të Zvicrës)

“Duhet të edukojmë një brez të ri publiku”

Po investohet sa duhet në kulturë?

Jo. Do të duhej shumë më shumë. Kultura, si dhe sporti, janë ambasadorë të një vendi.

Ku do të duhej të investohej më shumë për kulturë në atë trevë shqiptare?

Te të rinjtë. Duhet të përgatisim breza të rinj artistësh. Duhet të edukojmë një brez të ri publiku. Kanë marrë hov shumë të madh rrjetet sociale, digjitalizimi … por teatri i ka mbijetuar të gjitha këtyre shpikjeve moderne. Teatri është që nga antika dhe është vet jeta. Këtu duhet të investojmë të gjithë me të gjitha mundësitë që i kemi ta mbajmë gjallë artin skenik.

Për fund të kësaj interviste, si do të priten këto ditë? A do të mbushet salla e shtëpisë së kulturës, si dikur?

Uroj dhe shpresoj me gjithë shpirt që ajo salla e kuqe e shtëpisë së sulturës të frymojë dhe të zhurmojë e qeshura këto 5 net të festivalit.

Shfrytëzoj rastin që nëpërmjet portalit tuaj të bëj tjirrje te të gjithë ata që ju lexojnë, të vinë në teatër, të kënaqen me lojën e aktorëve, të qeshim së bashku dhe sado pak të kontribuojnë në kulturë me një biletë simbolike prej 200 din. (rreth €2)

Cili do të ishte urimi juaj për vitin 2025?

Uroj që 2025 të na sjellë vetëm fat e shëndet! Të kemi lumturi e harmoni në familje dhe në punë. Çdo shqiptar të mos harrojë rrënjët e veta, por edhe të zgjasë degët sa më lart me të arriturat në të gjitha fushat e jetes. Të kemi sa më shumë të rinj të shëndetshëm dhe të suksesshëm nëpër botë. Bota dhe e ardhmja është e të rinjve, sot e përgjithmonë.

helveticALforum.ch