Qoku: Nuk mbështesim asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese që mbivoton anëtarët shqiptarë të gjykatës
Deputeti nga radhët e koalicionit VLEN, Bekim Qoku thotë se nuk duhet mbështetur asnjë vendim i kësaj Gjykate kushtetuese që po përdoret nga BDIja për të nxitur trazira ndëretnike.
“Nuk mbështesim asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese që mbivoton anëtarët shqiptarë të gjykatës. Vendimet njëetnike janë të papranueshme dhe s’kanë të bëjnë me drejtësi, veçanërisht ata që prekin të drejtat e shqiptarëve.
Nuk duhet mbështetur asnjë vendim i kësaj Gjykate kushtetuese që po përdoret nga BDIja për të nxitur trazira ndëretnike sepse ajo është tani në opozitë.
Nuk duhet mbështetur kjo Gjykatë Kushteruese e Salim Muratit dhe e gjykatësve të saj aktual të instaluar aty nga i sh pushteti abuziv as për abrogimim e mekanizmit të balancuesit, as për temën e ligjit për gjuhët. Këta vendime nxiten nga BDI vetëm për interesa të ngushta.
VLEN do të bëjë çmos që të parandalojë skenarë ogurzeza të organizuara nga një prej strukturave më korruptive politike të Ballkanit. Do të bëjë çmos që të mos preket asnjë ligj e normë që ka të bëjë me shqiptarët.
Përndryshe, balancuesi do të zëvendësohet me një ligj më të plotë e të drejtë, ashtu siç do të propozojë ligji i gjuhëve duhet të avancojë deri në barazi të plotë gjuhën shqipe që e flet një populli me përbërje prej 30%.”, ka shkruar Qoku. (INA)