Maqedoni

Fëmija i cili kishte rënë nga një ndërtesë në Shkup është në gjendje të mirë shëndetësore

Fëmija i cili mbrëmë ra nga kati i gjashtë i një ndërtese në Kisella Vodë është në gjendje shëndetësore stabile, por ka lëndime në disa organe, njoftoi u.d. drejtori i Klinikës për kirurgji të fëmijëve, Lazo Jovçeski, duke theksuar se ai është nën vëzhgim të vazhdueshëm.

“Fëmija ndodhet në terapi intensive në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve. Ai është në gjendje të përgjithshme stabile, por me parametra të qëndrueshëm jetësor. Ka lëndime dhe fraktura në sisteme dhe organe të shumta, duke filluar nga lëndimet e kokës, shpatullave, mushkërive, frakturat e brinjëve dhe legenit. Merr frymë vetë, me mbështetje oksigjeni dhe deri më tani nuk ka indikacione se duhet operim”, tha doktor Jovçeski për Telma.

Ai shtoi se për momentin nuk mund të thotë nëse pacienti është jashtë rrezikut për jetën, sepse janë të kujdesshëm dhe se bëhet fjalë për lëndime të disa sistemeve dhe organeve.
Nga MPB sot kanë njoftuar se një grua 69-vjeçare ka humbur jetën dhe një fëmijë nëntë-vjeçar ka mbetur i lënduar pasi ka rënë dje nga një ndërtesë në lagjen Kisella Vodë të Shkupit. Ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në orën 19:40. Gruaja ka ndërruar jetë në vend, ndërsa fëmija është transferuar menjëherë në kompleksin klinik “Nënë Tereza”