Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të QKUK-së, nuk përjashtohet greva
Paga e ulët, moszyrtarizimi i shujtës brenda orarit të punës dhe pagesa për ekzaminime, janë ndër arsyet për të cilat kanë protestuar sot punëtorët e sigurimit fizik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës para drejtorisë së administratës në QKUK.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi tha se këta punëtorë vazhdojnë të marrin pagën 275 euro, ani pse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale në Kosovë të mos mbetet nën 350 euro.
Sipas Azemit, ushqimi brenda QKUK-së disa herë hedhet dhe nuk u jepet punëtorëve të sigurimit fizik, për çka kërkoi që të zyrtarizohet vendimi për ushqimin e tyre.
Azemi theksoi se nëse brenda dy javëve nuk merren parasysh kërkesat e punëtorëve, ata do të hynë në grevë, raporton kp.
“Që në shtator është marrë vendim nga Qeveria e Kosovës që paga minimale nuk guxon të mbetet nën 350 euro. Tanimë jemi në muajin nëntor ku këta punëtorë marrin pagë 275 euro. Paga e tyre po negociohet disa herë me kompani, se cila kompani do ta merr dhe ende paga e tyre është 275 euro, pa dyshim e dëmshme dhe nuk guxon të ndodhë kjo. Është një çështje për të cilën këta punëtorë nuk kanë të drejtat siç ua garanton ligji.
Të drejtën të cilën e kemi kërkuar me kohë se ushqimi shpeshherë i këtyre punëtorëve, ushqimi hedhet dhe nuk u jepet, nuk u zyrtarizohet. Ne kemi kërkuar që të zyrtarizohet ushqimi i tyre. Ne kemi kërkuar dhe prapë po kërkojmë që nëse një kontroll këtyre punëtorëve u duhet ta bëjmë një ekzaminim shumë të shkurtër. Këta paguajnë sikurse të jenë qytetarë të tjerë. Ne dhamë një afat dy javor që nëse kërkesa tona përmbushen, në rregull. Nëse jo, është normale që edhe sot mund të hyjmë në grevë, sepse jemi duke u paguar në kundërshtim me ligjin e pagës minimale”, tha Jusufi.
Se nuk kanë kurrfarë të drejtash dhe se janë të shkelur totalisht e tha njëri nga punëtorët e sigurimit fizik në QKUK, Jakup Mukulani. Ai u shpreh se është sfiduese t’ia dalin mbanë më këtë pagë.
Sipas tij, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia u ka thënë se meqë këta punëtorë paguhen nga kompanitë private, nuk ka se çfarë të bëjë në këtë drejtim.
“S’kemi kurrfarë të drejte, jemi të shkelur totalisht. Ky shtet i bjen vendimet, ky shtet e shkel ligjin e vet, nuk mendon për punëtorë. Ministri Arben Vitia ka thënë ‘Nuk jeni ju tanët’. Thashë ‘të kujt jemi shok ministër’, ‘Ju jeni privat’ tha. A jemi të këtij shteti, apo të kujt jemi? Ku jemi duke kontribuuar ne prej 85′ në këtë klinikë, në këtë QKUK jam.
As nuk kemi ushqim, as nuk kemi të drejta, as ndërrime të natës. Më të shkelur se punëtorët e sigurimit dhe pastruesit nuk ka në QKUK. Hyni tani nëpër zyra, drejtorët në fotele. Ne jemi në rrugë…Nuk jemi duke kërkuar 10 herë në ditë ushqim, një herë në ditë. Nga 12 orë jemi këtu. As nuk kemi të drejtë të marrim ushqim, vetëm duhet të qëndrojmë aty të marrim ushqim prej shtëpisë. Jetesa është katastrofë, si të jetojmë me 270 euro. Udhëtim nuk dalin që paguajmë…Secili kemi familje, kemi fëmijë nëpër shkolla”, u shpreh Mukulani.
Në shtator të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale duhet të jetë 350 euro.
Për po të njëjtat pakënaqësi edhe punëtorët teknike të Kuvendit të Kosovës po mbajnë grevë tash e tre muaj. Para pak ditësh, këto të fundit janë zëvendësuar me punëtore të reja, pa paralajmërim. /KP/