Lajmet e reja

Kryeparlamentarja Spiropali: Kongresi i Alfabetit është një ngjarje madhore historike

Me rastin e Ditës së Alfabetit, kryeparlamentarja Elisa Spiropali i dhuroi Muzeut të Kongresit të Manastirit disa foto nga ditët e Kongresit, të përzgjedhura nga ajo vetë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

”Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe është një prej ngjarjeve më madhore të historisë tonë që lidhet pazgjidhshmërisht me identitetin tonë kombëtar, kulturën, artin, arsimin, dhe dijet në përgjithësi”, u shpreh Spiropali në një videomesazh me këtë rast. Sipas saj, Kongresi i Manastirit kurorëzoi rrugën e gjatë e të mundimshme drejt shkrimit me Alfabet latin të Shqipes, gjuhës sonë të bukur, të shenjtë, të mirë e të dlirë.

”51 fotove dhe 58 dokumenteve të Muzeut të Kongresit të Alfabetit në Manastir, të cilat na dëshmojnë këtë rrugëtim epik, po u shtohen edhe këto 10 foto, një dhuratë modeste që Kuvendi i Shqipërisë i bën këtij muzeu, në prag të 22 nëntorit, Ditës së Kongresit të Manastirit, e cila me vendim të qeverisë shqiptare kremtohet në Shqipëri si Dita e Alfabetit Shqip”, tha Spiropali.