BallinaMaqedoni

Do të ndërtohet hekurudha drejt Bullgarisë, Sofja pranoi tre argumentet kryesore të ministrit Nikollovski

Në takimin e djeshëm në Sofje, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, janë pranuar tri argumentet kyçe të ministrit të transportit, Aleksandar Nikoloski për vazhdimin e ndërtimit të hekurudhës për Bullgarinë, njofton Ministria e Transportit.

Sipas Nikollovskit, së pari duhet të ketë një projekt të përbashkët për tunelin që të mos ndërtohet një tunel që nuk të çon askund, më tej Bullgaria të përfundojë pjesën e saj të hekurudhës dhe së treti të rishikohet çmimi i cili është shumë i lartë, por dhe të rishikohet vetë projekti, transmeton portali Lideri.mk.

Në takim u pranua nga të dyja palët, pas vlerësimit të rreziqeve, që ndërtimin e tunelit për lidhjen hekurudhore ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë ta bëjë një kontraktues.

“Është pranuar që i gjithë projekti në seksionin e fazës 3 (Kriva Palanka – Seksioni Deve Bair) të rishikohet në mënyrë që të ulet çmimi i cili është shumë i lartë. Të përdoret vendimi teknik i projektit për tunelin e dorëzuar nga NP Hekurudhat Infrastruktura. Është arritur dakordësi që të dy vendet të formojnë grupe pune për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për tunelin”, thuhet në njoftim.

Siç u raportua, të dy palët shkëmbyen informacione, afate kohore për ndërtimin, si dhe shkëmbyen përvoja në lidhje me çështjet teknike për ndërtimin e korridorit 8, veçanërisht në pjesën e procedurave për funksionimin e ardhshëm të tunelit ndërkufitar “Deve Bair”.

Gjithashtu, të dyja palët bien dakord që të paraqesin marrëveshjet e dakorduara para institucioneve përgjegjëse financiare të BE-së, transmeton Lideri.mk.

Në takim, pala maqedonase, e udhëhequr nga sekretari shtetëror në Ministrinë e Transportit, Stefan Volkanovski dhe drejtori i Infrastrukturës Hekurudhore, Sinisha Ivanovski, theksuan se Maqedonia nuk devijon nga lidhja hekurudhore dhe se ky projekt shihet si një projekt rajonal që thekson zhvillimin e rrjeteve evropiane të transportit./Lideri